Ministrat premtojnë heqjen e taksës së dyfishtë për bizneset e peshkut
Prishtinë, 5 nëntor - Tarifat për taksën e dyfishtë ujore që po paguajnë bizneset e peshkut, po paraqesin sfidë të madhe për bizneset e kësaj veprimtarie, u tha në takimin që kishin përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.
Të njoftuar me këtë rast edhe gjatë takimeve të mëparshme që kishte OAK bashkë me Ministrat, Minsitri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi premtoi se për një kohë të shkurtër do të merret vendim për heqjen e një takse e cila është e paligjshme dhe po i rëndon shumë bizneset.
Në takim ishin prezent edhe pronari i biznesit Trofta Smajl Bytyqi dhe sekretari i shoqatës së prodhuesve të mishit të peshkut Zymber Shabanaj, të cilët shpjeguan në hollësi rastin se si këto biznese paguajnë tarifa shumë të mëdha mujore për Hidro Drini, nga i cili uji nuk shfrytëzohet por gypat vetëm kalojnë andej, duke theksuar se mund të jetë logjike të vendoset një taksë për mirëmbajtje në bazë të m2 të gypave për kompanitë, por jo siç janë duke vepruar tani, duke vendos edhe taksë ujore, taksë për të cilën është e caktuar në bazë të ligjit vetëm MMPH.
Ministri Matoshi theksoi se është ithtar i faktit se bizneset nuk duhet të ngarkohen me taksa të rënda, e sidomos me të tilla joligjore andaj çështjen do ta ngrisë edhe në mbledhjen e Këshillit Ndërministror në mënyrë që të ofrohet një zgjidhje në këtë drejtim.
Ndërsa Ministri Lluka theksoi se kjo taksë e dyfishtë është e panevojshme andaj është e rëndësishme që njëra nga to duhet të hiqet dhe për këtë ofroi përkrahje maksimale.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe Deputeti Islam Pacolli I cili theksoi se Ministrat e subjektit që ai përfaqëson do të përkrahin maksimalisht biznesin, pasiqë ai është akteri kryesor i zhvillimit të vendit.
Në këtë takim të pranishëm nga OAK ishin: Kryetari i bordit Skënder Krasniqi, koordinatorja Donika Gashi, zyrtarja Qendresa Ibrahimi, pronari i biznesit Trofta Smajl Bytyqi dhe sekretari i shoqatës së prodhuesve të peshkut Zymber Shabanaj.
Kurse MMPH dhe MZHE u përfaqësua nga: Ministri Fatmir Matoshi, Ministri Valdrin Lluka, Deputeti Islam Pacolli dhe Këshilltarët Valon Maliqi, Mimoza Ibishi dhe Besnik Rexhepi.