MF dhe MTI pajtohen për unifikimin e numrit të biznesit
Prishtinë, 8 shkurt - Në kuadër të reformës të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e klimës në të bërit biznes, ministri i Financave Avdullah Hoti, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, u.d. sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë Agron Maxhuni, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Sakip Imeri, si dhe drejtori i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) Gazmend Mejzini, janë takuar sot për të diskutuar për projektin e përbashkët të këtyre institucioneve në unifikimin e numrit të biznesit që nënkupton se numri i regjistrimit të biznesit është i njëjtë me numrin fiskal dhe do të shërbejë si numër identifikues i biznesit.
Me këtë rast u bë e ditur se me unifikimin e numrave të ndryshëm të biznesit, në një numër të vetëm, parashihet që ky numër të aplikohet në të gjitha procedurat e aktivitetit biznesor, si dhe do tua lehtësojë edhe më shumë aktivitetin ndërmarrësve.
Ministri Hoti dhe Ministrja Bajrami u dakorduan që përfaqësuesit e dy ministrive konkretisht nga ATK dhe ARBK të bëjnë përgatitjet e duhura për këtë çështje dhe muaji shkurt të jetë definues për tu përfunduar unifikimi i numrit në mënyrë që bizneset të kenë kohë që deri në fund të vitit 2017 të jenë të pajisur me numrin e unifikuar.
Po ashtu gjatë takimit u diskutua se unifikimi i numrit do të ndikojë në luftimin e ekonomisë joformale në Kosovë si dhe do të jetë një lehtësim për bizneset e huaja të cilat duan të investojnë në vendin tonë.