Merkel mbron shkëmbimin e lirë mes BE-së dhe SHBA-së

Berlin, 12 maj - Kancelarja gjermane Angela Merkel mbrojti negociatat që po zhvillohen për një traktat të shkëmbimit të lirë mes BE-së dhe SHBA-së, kundër të cilit po organizohen kontestime në Gjermani që prej disa javësh.
Me TTIP (Marrëveshja e Shkëmbimit të Lirë Transatlantik), nuk bëhet fjalë që të ulim normat, sikurse thuhet shpesh, por e kundërta, siguroi kancelarja në një mesazh video të publikuar në faqen e saj të internetit.
Bëhet fjalë për heqjen e barrierave tregtare dhe jo vetëm për doganat, por gjithashtu edhe ato qe zakonisht i quajmë pengesa jofinanciare, shpjegon Merkel.
Si shembull ajo citoi detyrimet e shumta që detyrojnë prodhuesit e automjeteve që të zhvillojnë dy versione për produktet e tyre që të respektojnë normat evropiane dhe normat amerikane, por që nga ana tjetër kjo nuk mundëson një përmirësim të sigurisë.
Arritja e marrëveshjes në fjalë do të mundësojë vendosjen e normave të përbashkëta për të dyja zonat ekonomike dhe që peshojnë përballë normave botërore, kryesisht përballë Kinës, argumentoi kancelarja gjermane.
Që prej disa javësh, një lëvizje kundër marrëveshjes ka filluar të organizohet në Gjermani përreth sindikatave, OJQ-ve dhe federatave profesionale si ajo e bujqësisë bio.