Më shumë mallra pa doganë
Prishtinë, 16 gusht - Asociacionet e Bizneseve në Kosovë kërkojnë zgjerimin e listës së produkteve të liruara nga obligimet doganore për mallrat që shfrytëzohen si lëndë e parë dhe nuk prodhohen në Kosovë.
Këto kërkesa u parashtruan të enjten gjatë diskutimit rreth Projektligjit mbi Mallrat e Liruara nga Tatimi Doganor dhe Mallrat me Tarifë Zero të Tatimit Doganor, ne tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka njoftuar se sektori privat paraqet një shtyllë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë te vendit, prandaj edhe politikat fiskale duhet të jenë në mbështetje të këtij sektori ,i cili luan rol të rëndësishëm për mbushjen e arkës shtetërore dhe hapjes së vendeve të punës.
Lista e mallrave te liruara nga taksat doganore është jo e kompletuar dhe selektive, duke shtuar se beson se kjo listë duhet të zgjerohet, ka pohuar ai.
Kurse kryetari i Odës ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se mjedisi biznesor kosovar ka nevojë të përmirësohet dhe lista nuk duhet të jetë selektive.
Ndërsa Vjollca Cavolli nga STIKK tha së është më rëndësi që projektligji të jetë sa më i kompletuar dhe të mos të ketë nevojë të ripërsëritet ky proces në një kohë shkurt.
Ministria e financave ka përgatitur projektligjin për mallrat që do të lirohen nga detyrimet doganore. Menderes Ibra, këshilltar i ministrit të financave Bedri Hamza, ka bërë me dije se në listë janë lënda e parë që nuk prodhohet në vend, ambalazhet dhe mallra tjera.
Ai ka vlerësuar se ky projektligj merr parasysh propozimet e shoqatave të biznesit dhe eksperiencës shumëvjeçare, por njoftojnë se në disa raste qeveria ka vështirësi në definimin e disa nga produkteve, sidomos atyre që nga disa biznese mund të trajtohen si lëndë të pare, e nga disa biznese konsiderohen si produkt final.
Në anën tjetër bizneset prodhuese kërkuan zgjerimin e listës së produkteve që do te lirohen nga detyrimi doganor në import duke mos u kufizuar në baza selektive dhe ftuan qe të bëhen përpjekje që normat tatimore të Republikës së Kosovës të harmonizohen sa më tepër me vendet e tjera anëtare të CEFTA-s.
Në takim ishte edhe menaxherja e Aleancës e Bizneseve në Kosovë, Lumnije Ajdini, si dhe përfaqësues të bizneseve prodhuese dhe sektorëve të tjerë.