Mbrojtja e konsumatorit në Kosovë, ende larg standardeve
Prishtinë, 7 qershor - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) në bashkëpunim me Autoritetin Rregullator të Telekomunikacionit (ART) dhe me Zyrën e Rregullatorit për Ujësjellës dhe Mbeturina (ZRRUM) e organizoi tryezën me temë: Shërbimet publike në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve.
Në tryezën morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, të kompanive publike, të Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, të komunitetit të biznesit, si dhe të organizatave të ndryshme që ndërlidhen me mbrojtjen e konsumatorit.
Në fjalën e tij, Izer Arifi, kryesues i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe udhëheqës i Divizionit për Rregullimin e Tregut në MTI, foli për rolin dhe rëndësinë e mbrojtjes së konsumatorit që ka një rëndësi esenciale për shëndetin dhe mbrojtjen në përgjithësi të konsumatorëve.
Qeveria e Kosovës ka krijuar mekanizma dhe trupa për mbrojtjen e konsumatorëve. Ankesat e konsumatorëve tanimë procedohen në afatet e parapara tek mekanizmat relevantë, që janë në shërbim të mbrojtjes së konsumatorëve.\"
\"Vërehet një progres tek vetëdijesimi dhe informimi i konsumatorëve për ankesat që i bëjnë rreth shërbimeve të ndryshme, mirëpo ka ende gjëra për tu bërë për të përmirësuar shërbimet ndaj konsumatorit., theksoi Arifi.
Ndërsa, Artan Demolli, zyrtar për mbrojtjen e konsumatorit në MTI prezantoi rezultatet e hulumtimit rreth shërbimeve publike ndaj konsumatorit, ku sipas hulumtimit, kënaqshmëria e shërbimeve të kompanive publike në raport me konsumatorin duhet të rritet edhe më shumë, pasi që një pjesë e të anketuarve kanë deklaruar se kanë vërejtje rreth shërbimeve që u ofrohen në përgjithësi.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku, paraqiti disa mangësi në adresë të ndërmarrjeve publike, të cilat nuk po i respektojnë konsumatorët dhe nuk po iu ofrojnë shërbime sipas kontratave.
Ai potencoi se mbrojtja e konsumatorit në Kosovë është ende larg standardeve që kërkohen sipas rregullave ndërkombëtare.
Edhe anëtarët e Bordit të Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit shprehën opinionet e tyre rreth shqetësimeve të konsumatorëve, por që ceken edhe përmirësimet që janë duke u bërë raport me zhvillimet e mëhershme.
Në fund të tryezës, të pranishmit konkluduan se duhet avancuar edhe më tej vetëdijesimi dhe informimi i konsumatorëve, të përmirësohen shërbimet ndaj konsumatorëve, në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i tyre, si dhe të mbrohen interesat ekonomike të tyre.