Mbi 1 milion euro mallra të kontrabanduara
Prishtinë, 27 dhjetor - Shifra e mallrave të kontrabanduar e që janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës përgjatë një viti kalon vlerën një milion euro. Stolit e arit dhe derivatet e naftës janë produktet më të kontrabanduara.
Vlera e mallrave te konfiskuara nga Dogana e Kosovës përgjatë një viti është mbi 1 milion. Kurse produktet te cilat më së shumti janë konfiskuar apo kapur gjatë tentim kontrabandës janë: stoli ari, telefona mobilë, derivate të naftës, pije të ndryshme, barna, veshmbathje etj, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.
Vetëm gjatë muajit nëntor, sipas Stavilecit, në pikat kufitare me Serbinë është konfiskuar mall në vlerë mbi 80 mijë euro.
Ndërsa shqiptimi i gjobave, sipas tij, gjatë këtij muaji është në vlerë prej 70 mijë eurove. Ai sqaron se kontrabandistët tentojnë ti fusin mallrat më së shumti përmes rrugëve tjera alternative.
Sipas Stavilecit, tentimi për të kontrabanduar mallra me makina të vogla është një indikator i qartë se në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë nuk ka hapësirë për të kontrabanduar.
Artikujt që më së shumti kanë peshuar në ekonominë joformale, janë ato me akcizë, siç janë nafta dhe derivatet e saj, pijet alkoolike dhe duhani, por që në periudhën e fundit është vërejtur të bëhet kontrabandë edhe me produkte të lira, ka thënë Stavileci.
Ndërsa, sipas tij, përveç këtyre dy pikave kufitare me Kosovë - Serbi, kontrabanda tentohet të bëhet edhe në pikat tjera kufitare, siç është pika kufitare Kosovë-Shqipëri.
Jo vetëm në Bërnjak dhe në Jarinjë, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës ka kontrabandë për arsye se Kosova ka një gjatësi të kufirit që shtrihet në kufirin e gjelbër apo kufirin tokësor, prandaj edhe terreni është më i lehtë për të kaluar. Pra kemi kontrabandë që zhvillohet jashtë rrugëve zyrtare, ka thënë ai Stavileci.
Ndërsa kontrabanda me barna nga Serbia për në Kosovë, kohet e fundit është bërë biznesi me atraktiv për kontrabandistët shqiptarë dhe ata serb. Barnat e kontrabanduara nga Serbia kohëve të fundit kanë vërshuar tregun, pasi që një pjese e tyre po shiten me lirë se barnat që hyjnë në vendin tonë përmes rrugëve legale.
Konsiderohet se me vite të tëra kur pikat kufitare në veri kanë qenë jashtë kontrollit, janë kontrabanduar mallra me vlerë deri në 50 milionë euro, mallra këto të cilat kanë hyrë në tregun e Kosovës pa paguar asnjë obligim dhe që e kanë dëmtuar konkurrencën e lirë.
Kalimi nga ekonomia joformale në atë formale ishte caktuar nga Qeveria e Kosovës në prioritetet e planit ekonomik 2011 - 2014. Por, sidoqoftë, njohës të çështjeve ekonomike kishin bërë apel Qeverisë se ky prioritet të mos mbetet vetëm në letër, por të zbatohet.
Sipas tyre aksioni i Qeverisë së Kosovës që kishte rezultuar me marrjen nën kontroll të pikave doganore në veri, qoftë edhe në mënyrë simbolike me doganierë kosovarë, ka ndikuar që të ketë në masë të madhe të kemi reduktim të kontrabandës, por në pikat tjera konsiderohet të bëhet shumë më shumë.