29 Dhjetor 2024

Marrëveshjet transatlantike të tregtisë së lirë në pikëpyetje

Bruksel, 30 shtator - Në Evropë është shtuar gjatë vitit të fundit kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Kjo lëvizje ka mobilizuar qindra mijëra vetë në vende si Gjermania, Austria dhe Belgjika.

Kjo rezistencë i ka bërë marrëveshjet për tregti të lirë mes vendeve atlantike një temë delikate, duke vënë në pikëpyetje ratifikimin e këtyre traktateve.

Partneriteti për Tregti dhe Investime Trans-Atlantike (TTIP), siç quhet marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara është në diskutim që nga viti 2013. Javën e ardhshme fillon raundi i 15-të i bisedimeve. Negociatat mes BE dhe Kanadasë për Marrëveshjen e Përgjithshme Tregtare dhe Ekonomike (CETA) vazhdojnë prej shtatë vjetësh.

Politikanët thonë se marrëveshjet tregtare janë të rëndësishme për të rritur ekonominë, për të forcuar eksportet dhe për krijimin e vendeve të punës. Rritja ekonomike ka qenë e dobët vitet e fundit, veçanërisht në Eurozonë. Por edhe ata që sipas politikanëve do të përfitonin nga këto marrëveshje, si biznesi lokal, kanë shprehur kundërshti ndaj këtyre traktateve.

Guido Korber është sipërmarrës gjerman i cili drejton një kompani teknologjike në Berlin dhe shpesh bën biznes me kompani amerikane. Ai është kundër marrëveshjes TTIP dhe bën pjesë në një grup këshillimor të përbërë nga biznesmenë gjermanë, të cilët janë kundër dy marrëveshjeve: TTIP dhe CETA.

Biznesi i tij dhe të tjerë nuk do të përfitojnë nga procesi i prokurimeve transatlantike, thotë ai. Aktualisht, shpjegon ai, vetëm një numër i vogël kompanish të vogla dhe të mesme marrin pjesë në tendera në Amerikë.

Zakonishtë këto kompani janë kontraktorë lokalë të projekteve publike të prokurimit. Por nëse procesi i prokurimit hapet në shkallë ndërkombëtare, do të futen në konkurrim shumë korporata të mëdha, duke dëmtuar shanset e kompanive të vogla.

Një tjetër shqetësim për zotin Korber janë standardet dhe cilësia. “Standardet teknike për produktet janë thuajse të njëjta në të dyja anët e Atlantikut. Por standardet e prodhimit: procedurat e testimit dhe certifikimit bazohen në rregulla krejt të ndryshme”.

BEUC, orgaizata evropiane për konsumatorët, ofron këshilla për politikanët lidhur me elementë të marrëveshjes që nuk përputhen me testet për konsum. Drejtoresha e Përgjithshme Monique Goyens thotë se publiku nuk po reziston thjesht nga përmbajtja e marrëveshjeve: “Një ndër shqetësimet lidhet me mungesën e transparencës. Këtë kritikë kishim edhe ne. E ngritëm faktin që nuk kishim qasje, nuk mund të përfshiheshim në një debat konstruktiv. Komisioni Evropian ka nxjerrë propozimet e tij, por Shtetet e Bashkuara nuk duan të nxjerrin propozimet e tyre. Kjo nënkupton se ne do ta kemi të pamundur të përmbushim si duhet rolin tonë këshillues”.

Shqetësimet për ushqime të modifikuara gjenetikisht, mbrojtjen e mjedisit dhe standarde të dyshimta për produktet e konsumit bënë që qindra mijëra vetë në Gjermani, Austri dhe Belgjikë të demonstronin kundër këtyre marrëveshjeve gjatë javëve të fundit.

Alain Dabi thotë se nuk ka dalë në protesta që kur ishte student, por iu bashkua protestave në Bruksel pasi këto janë tema shumë të rëndësishme: “Bëhet fjalë për të ardhmen time dhe të fëmijëve të mi. Shqetësohet për cilësinë e ushqimeve dhe cilësinë e jetës. Nuk duam produkte me cilësi më të dobët”.

Franca ka ngritur idenë e pezullimit të negociatave për marrëveshjen TTIP me Shtetet e Bashkuara, ndërsa ministri gjerman i ekonomisë ka thënë se praktikisht kjo është një marrëveshje e dështuar.

Anëtarja e Parlamentit Evropian Marietje Schaake është zëdhënëse një grupi partish dhe grupimesh liberale në parlament. Ajo thotë se duhet më shumë diskutim mes vendeve anëtare të BE. “Ministrat që tani po i kritikojnë negociatat për TTIP për arsye politike, nuk duhet të harrojnë se ata vetë i kërkuan komisionit t’i fillonte këto negociata”.

Presidenti Barak Obama shpreson ta finalizojë marrëveshjen para se t’i mbarojë mandati. Por dy kandidatët presidencialë kanë shprehur rezerva për marrëveshjen.

Miratimi i marrëveshjes CETA me Kanadanë kërkon votën e Parlamentit Evropian dhe ratifikim në parlamentet e vendeve anëtare. Një takim i nivelit të lartë mes Kanadasë dhe BE është planifikuar për në fund të tetorit për të nënshkruar CETA-n.

Komisionerja e BE për Tregtinë, Cecilia Malmstrom shprehet se nëse nuk ratifikohet marrëveshja CETA me Kanadanë do të minohet kredibiliteti evropian. “Nëse nuk hyjmë dot në marrëveshje me Kanadanë, me kë do të mund të hyjë Evropa në marrëveshje?” – pyet zonja Malmstrom.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)