Marrëveshja me Turqinë, 30 milionë euro më pak në buxhet
Prishtinë, 25 dhjetor - Të paktën 30 milionë euro mund të ketë më pak buxheti i Kosovës nga marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë që po negocion Qeveria e vendit.
Heqja e taksës doganore për mallrat turke fillimisht mund ta atakoj ndjeshëm buxhetin e vendit. Për këtë, i pari i autoritetit doganor në vend Naim Huruglica thotë që duhet të gjenden mundësi që liberalizmi të ndodh gradualisht.
Efekti në buxhet mund të jetë ai menjëhershmi në kuptimin e zvogëlimit të të hyrave nga taksat doganore. Ka mundësi që marrëveshja të negociohet që të mos shkohet ditën e parë me lirim të plotë 100%, por gradualisht dhe mundësia e dytë që disa mallra kosovare të mbrohen që prodhohen në Kosovë dhe që mund të jenë të rrezikuara nga një hapje e plotë e tregtisë, i ka thënë Huruglica Radio Kosovës.
Një grup ndërqeveritar i udhëhequr nga Ministria e Tregtisë, i cili po negocion marrëveshjen me Turqinë pritet që deri kah mesi i vitit 2013 të realizoj atë. Bernard Nikaj, këshilltar i Ministres së Tregtisë, ka thënë se po kërkohet që për një periudhë tranzitore disa nga produktet të mos lirohen nga taksat doganore.
Gjithsesi në momentin kur në të hyjmë në marrëveshje për tregti të lirë me ndonjë vend atëherë ne nuk do ti kemi të hyrat nga mbledhja e doganave me atë vend. Por, në marrëveshjen me Turqinë ne jemi duke tentuar që marrëveshja të ketë së pari përfitime për ekonominë e Kosovës e ato benefite pastaj do të përkthehen në të hyra për buxhetin, ka thënë Nikaj për Radio Kosovën.
Sipas të dhënave doganore importi i Turqisë në Kosovë është rreth 180 milionë në vit. Ndërsa, mallrat turke mbulojnë afërsisht 12 për qind të gjithë tregut në vend.
Ulje në nivelin e buxhetit në vitet e para, sipas autoriteteve qeveritare, pritet të ketë edhe nga marrëveshja me BE-në, por në nivel më të vogël. /rtk/