Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është favor i madh për Kosovën
Prishtinë, 3 maj - Në vazhdën e përgatitjes për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), u mbajt punëtoria e organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe me mbështetjen e UNDP-së, me temë: Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, - mundësitë e mbështetjes institucionale për Bizneset dhe kërkesat e tregut të BE-së për eksport.
Në fjalën hyrëse, zëvendësministri i MTI-së, Avni Kastrati, tha se ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë, me kënaqësinë më të madhe dhe njëherësh edhe me obligimin më të madh, jemi të përkushtuar për të bashkëpunuar me biznese dhe për ti përkrahur në vijat e tyre afariste.
Ai më tej theksoi se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është favor i madh për Kosovën, që njëherësh shënon marrëveshjen e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE).
Zv.ministri Kastrati, në mes tjerash potencoi: Është me rëndësi të theksohet se përveç përfitimeve që ne do ti kemi si palë nënshkruese e MSA-së, ne kemi edhe obligime të rëndësishme të cilat duhet ti përmbushim duke u sjellë si një shtet i vendosur për ti dërguar përpara reformat e gjithanshme strukturore, reforma këto që do të na mundësojnë që ekonomia jonë të futet në binarët e zhvillimit kualitativ dhe të ndërveprojë suksesshëm me tregjet e zhvilluara të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, u shpreh Kastrati.
Po ashtu, zv.ministri Kastrati prezantoi mundësitë e liberalizimit të tregut ndërmjet Kosovës dhe BE-së, që do ta rrisë konkurrencën e kompanive dhe të ekonomisë sonë në përgjithësi, ku ndërmarrjet tona do të ofrojnë produkte dhe shërbime më cilësore dhe me çmime më konkurruese në tregjet e BE-së dhe që do ta përforcojnë pozitën e tyre në tregun vendor, konkretisht edhe në Sektorin e përpunimit të drurit.
Ai, përveç kësaj, përmendi se një pjesë e ndihmës financiare të BE-së do të orientohet edhe në formë të granteve që do tu shpërndahen sektorëve industrialë, përfshi Sektorin e përpunimit të drurit, për të rritur produktivitetin dhe për të përmirësuar cilësinë.
Në fund, zv.ministri Kastrati konfirmoi para të pranishmëve përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me vendosmëri me reformat e gjithëmbarshme, ku rezultati i të cilave do ta çojë ekonominë e vendit në rrugën e prosperitetit dhe të mirëqenies për të gjithë qytetarët e vendit.
Ndërsa, Marijan Kavran, eksperti i UNDP-së, prezantoi para pjesëmarrësve kërkesat dhe standarde, që kërkohen në tregun e BE-së në fushën e përpunimit të drurit dhe të produkteve të tij.