Marrëvesha e përbashkët për zhvillimin e turizmit Kosovë Shqipëri
Prishtinë, 15 janar - Zyrtarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit të Republikës së Shqipërisë u takuan të hënën në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, dhe filluan bisedimet teknike për hartimin e marrëveshjes për zhvillimin e turizmit mes dy vendeve.
Marrëveshja synon organizimin e aktiviteteve të përbashkëta mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e turizmit dhe zhvillimin e aktiviteteve promocionale të përbashkëta.
Delegacioni i MZHUT të Shqipërisë u prit nga zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës z. Cuneyd Ustaibo, Udhëheqësja e Departamentit të Industrisë, znj. Valbone Dushi, z. Halil Bajrami, udhëheqës i Divizionit të Turizmit, Xhemajl Pllana, Zyrtar për Politika Rajonale Turistike, z. Valdrin Lluka, Kryeshef i APIK-ut. Ndërsa pala nga MZHUT, përfaqësohej nga Znj. Mejvis Kola, Këshilltare për çështjet e turizmit, znj. Sofjola Kotelli, Drejtore e përgjithshme e turizmit dhe Znj. Evis Tasellari, Drejtore e marketingut dhe promocionit në Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Të dyja palët vlerësuan nismën për një marrëveshje bashkëpunimi mes qeverive, si një mundësi për të rritur dhe bashkërenduar nismat për promovimin e turizmit në të dy vendet.
Gjatë takimit të parë të grupit të punës me ekspertë të dy vendeve u ra dakord të shkëmbehen informacionet statistikore mes dy vendeve dhe të hartohet paketa rajonale e përbashkët turistike, një ofertë turistike që do ti shërbejë turistëve të dy vendeve dhe turistëve të rajonit dhe më gjerë.
Objekt i grupit të përbashkët të punës do të jetë organizimi i aktiviteteve promovuese, konferencë e përbashkët në Panairin e turizmit në Berlin, organizimin e konferencave të përbashkëta në fushën e turizmit, fushata informuese dhe ndërgjegjësuese mbi potencialet turistike të vendeve tona në mediat vendase dhe të huaja, organizimin e takimeve të përbashkëta me bizneset etj.
Përfaqësuesit e të dy palëve u angazhuan në promovimin e mëtejshëm të potencialeve turistike në të dy vendet si dhe ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet stafeve teknike të ministrive dhe agjencive përkatëse që promovojnë turizmin.
Takimi teknik i radhës do të organizohet në Tiranë, për tu finalizuar me nënshkrimin e marrëveshjes së përbashkët për zhvillimin e turizmit mes dy vendeve.
Kjo nismë e dy Ministrive, vjen si hap i parë konkret pas dokumentit strategjik të bashkëpunimit të firmosur dy ditë më parë në Prizren, në mbledhjen e përbashkët të Qeverive të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.