26 Dhjetor 2024

Maqedonia i bllokon prodhimet e Kosovës

Prishtinë, 19 mars - Maqedonia sërish u ka vënë barriera prodhimeve kosovare, duke e pamundësuar që ato të hyjnë në tregun fqinj.

Kësaj radhe Maqedonia ka kërkuar nga bizneset që merren me prodhimin e pijeve që, përveç dokumenteve të rregullta, të kenë edhe një certifikatë mbi kualitetin nëse dëshirojnë që prodhimet e tyre të hyjnë në këtë shtet.

Kjo kërkesë për këta prodhues është një barrierë, pasi asnjë institucion në Kosovë nuk e lëshon një certifikatë të tillë.

Berat Mustafa, menaxher në kompaninë “Rc Cola” ka njoftuar se shteti i Maqedonisë ka nisur t’i kërkojë certifikatë të kualitetit për të eksportuar prodhimet e kësaj kompanie, “RC Cola” apo lëngjet “Fludi”.

Ai ka thënë se kjo kërkesë është bërë një barrierë që prodhimet e kësaj kompanie të eksportohen në Maqedoni, pasi një certifikatë e tillë nuk lëshohet nga asnjë institucion në Kosovë. “Prodhimet e kompanisë “Rc Cola” janë të pajisura me ISO standardet e BE-së për kualitetin, thotë Mustafa, e që kjo certifikatë nuk po i kryen punë.

Përveç kompanisë “Rc Cola”, me këtë barrierë është ballafaquar edhe kompania “Stone Casel”.

Mimoza Kusari-Lila, ministrie e Tregtisë dhe e Industrisë, ka thënë të mos jetë në dijeni zyrtarisht rreth kërkesës së palës së Maqedonisë.

Ndërkohë, Naim Huruglica, drejtor i Doganave të Kosovës, ka thënë të jetë pyetur edhe nga Oda Ekonomike rreth çështjes së kërkesës së Maqedonisë për certifikata të kualitetit.

“Zyrtarisht nuk kam marrë një shkresë nga Doganat e Maqedonisë, mirëpo nëse ka të bëjë me një certifikatë të tillë, atëherë ajo ish dashur t’i drejtohet AVUK-ut”, ka thënë Hurglica.

Gjersa për kërkesën e shtetit të Maqedonisë, nuk janë të informuar Doganat dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e informuar është Oda Ekonomike e Kosovës.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se rreth kësaj kërkese është një huti tek institucionet kosovare, pasi, sipas tij një certifikate e tillë nuk lëshohet nga institucionet kosovare.

Një kërkesë e tillë nga Maqedonia, sipas Gërxhaliut, është edhe një barrierë që iu paraqitet prodhimeve kosovare që eksportohen në shtetin fqinje dhe si e tillë nuk i kontribuon përmirësimit dhe ruajtjes së marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Ai ka paralajmëruar se nëse nuk gjendet një zgjidhje gjatë ditës së parë të javës, të hënën  institucionet e Kosovës duhet të veprojnë shpejt për të mbrojtur prodhimin vendor, duke mos përjashtuar as reciprocitetin.

Prodhimet kosovare vazhdojnë të kenë barrikada për t’u eksportuar në shtetet fqinje. Fillimisht Serbia kishte bllokuar hyrjen e prodhimeve kosovare për tri vite rresht. Prodhimet “Made in Kosova” kanë pasur probleme që të ekspertoheshin edhe në Shqipëri, sidomos patatja. Ndërsa, Maqedonia e kishte bllokuar eksportin e grurit dhe prodhimeve të tij për disa muaj, gjatë vitit 2011.

/Koha Ditore/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)