Mallrat nga Serbia, të enjten hiqet 3.5 tonëshi

Prishtinë, 8 janar - Të enjten do ti jepet fund hyrjes së mallrave nga Serbia për në Kosovë në masën prej 3.5 tonësh e cila ka qenë në fuqi prej 21 dhjetorit, dedikuar kryesisht serbëve të veriut.
Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë deklaruar se të enjten do të shkohet në Bruksel, por nuk do të lëshohet pe që masa prej 3.5 tonësh të hyjë edhe pas të enjtes pa doganë.
Sipas tyre, Kosova është një territor unik doganor dhe si i tillë do të mbetet, Dogana e Kosovës do të zbatojë legjislacionin që është në fuqi.
Në MPB kanë thënë se në takimin e dhjetë janarit në Bruksel do të diskutohet për ecurinë e deritashme të zbatimit të IBM-së, për hapat e mëtutjeshëm për funksionalizimin edhe të dy pikave tjera.
Gjithashtu bëhet e ditur se në këtë takim do të shtrohet edhe çështjen e efikasitetit të autoriteteve serbe sidomos gjatë festave ku në pikat doganore krijohen kolona të gjata me shtetas të Kosovës.
Ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se nëse Qeveria e Kosovës dëshiron që tu krijojë privilegje serbëve në veri, atëherë këtë duhet ta rregullojë me ligj e jo ad hoc apo sipas vullnetit dhe presionit prej palëve, qoftë prej serbëve në Kosovë apo prej Beogradit.
(Zëri)