Mali i Zi pranohet në OBT
Gjenevë, 19 dhjetor - Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) pranoi Malin e Zi si anëtar të saj, gjatë një konference ndërministrore që kjo organizatë zhvillon çdo dy vjet.
Mali i Zi u përfaqësua në Gjenevë nga kryeministri i ri Igor Lukshiç i cili deklaroi se ky anëtarësim, i shumëpritur nga Mali i Zi, duhet të konsiderohet si "një sinjal pozitiv për investimet e huaja".
Mali i Zi ka një afat deri më 31 mars 2012 për të dorëzuar të gjithë dokumentacionin e anëtarësimit.
"Bëhet fjalë për shtetin e katërt që pranohet nga OBT këtë vit. Është një hap i rëndësishëm në procesin, në të cilin synohet shndërrimi i OBT në një organizatë më të përgjithshme dhe kjo tregon se OBT dhe multilateralizmi mbeten një prioritet në fushën e politikës tregtare", tha Pascal Lamy, drejtor i përgjithshëm i OBT-së.