Ligji për Investime Strategjike krijon lehtësira për tërheqjen e investimeve
Prishtinë, 2 nëntor - Tërheqja e investimeve të huaja direkte vazhdon të mbetet në fokus si faktor kyç për zhvillimin ekonomik në vend. Kjo u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ku të pranishmit diskutuan për hapat që qeveria e vendit dhe institucionet tjera përkatëse duhet të ndërmarrin për të përmirësuar edhe më tej mjedisin e të bërit biznes në vend.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane tha se përmirësimi i rangimit të Kosovës në raportin e Bankës Botërore të të Bërit Biznes është për t’u lavdëruar, mirëpo tani është koha që ky përmirësim të reflektohet edhe në rritje të investimeve të huaja direkte, e që fatkeqësisht viteve të fundit nuk kanë qenë në nivelin e kënaqshëm.
Sipas tij, kjo tregon që institucionet përkatëse duhet që krahas përpjekjeve për përmirësimin e mjedisit afarist, të punojnë më shumë edhe në promovimin e potencialeve dhe përparësive konkurruese të cilat mund t’i ofrojë Kosova investitorëve të huaj.
Bajram Hasani, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, sqaroi se ministria të cilën ai drejton ka rol kyç në koordinimin e përpjekjeve për reforma përkitazi me fushat që mbulon raporti i Bankës Botërore.
Ministri theksoi se Ligji për Investime Strategjike, i cili së shpejti do të funksionalizohet përmes akteve nënligjore, mund të krijojë lehtësira të mëdha për tërheqjen e investimeve. Mes tjerash, ai përmendi edhe disa plane të Qeverisë për të krijuar lehtësira për krijimin dhe nxitjen e vendeve të reja të punës.
Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, sqaroi planet e ministrisë për furnizimin stabil me energji elektrike, si element tejet i rëndësishëm për zhvillim ekonomik afatgjatë.
Në këtë drejtim, ai vuri theksin edhe mbi nevojën për të përshpejtuar hapat për projektin e ndërtimit të termocentralit të ri, ku tanimë janë duke u zhvilluar negociatat finale me kompaninë e përzgjedhur.
Lluka gjithashtu diskutoi edhe mbi planet e Ministrisë sa i përket energjisë së ripërtëritshme, ku planifikohen investime të ndryshme në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
Blerta Qerimi, Specialiste e Sektorit Privat në Bankën Botërore, theksoi se përmirësimi i pozitës së Kosovës në raportin e Bankës Botërore paraqet një lajm të mirë për Kosovën, mirëpo institucionet duhet të punojnë më shumë për integrimin ekonomik të vendit, marrë parasysh nivelin e ulët të investimeve të huaja dhe të eksporteve.
Mes tjerash, Qerimi diskutoi edhe të gjeturat e një raporti tjetër të Bankës Botërore, ku theksohet se investitorët i kushtojnë rëndësi të madhe lehtësirave të ofruara nga shteti, marrëveshjeve për tregti të lirë, si dhe punës së agjencioneve për promovim të investimeve.
Në anën tjetër, Visar Ramajli, drejtor ekzekutiv në KIVO LLC, shkëmbeu përvojat e tyre me investimet e bëra në Kosovë nga partnerët holandezë.
Ai kërkoi që qeveria dhe institucionet e tjera përkatëse t’i kapitalizojnë rezultatet e Raportit të Bankës Botërore për tërheqjen e investimeve.
Mes tjerash, ai theksoi nevojën që të përmirësohet performanca e institucioneve gjyqësore si një shtyllë kyçe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Poashtu, Ramajli tha se është tejet e rëndësishme që institucionet përkatëse, duke u bazuar në konsultime me sektorin privat, të ndërmarrin reformë të sistemit arsimor në vend, në funksion të krijimi të një fuqie të kualifikuar punëtore që i përshtatet kërkesave të tregut.
Në vazhdim, pjesëmarrësit e tjerë në tryezë diskutuan mbi përvojat e tyre me investimet në Kosovë, duke shprehur bindjen se ambienti i të bërit biznes në vend duhet të përmirësohet më tej.