07 Janar 2025

Ligjet e pakos së re fiskale kanë sjellë investime mbi 270 milion euro

Prishtinë, 11 dhjetor - Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE), mbajti sot takimin e katërt, për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm për avancimin e reformave për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Në fjalën hyrëse, kryeministri i Republikës së Kosovë, njëherësh edhe kryesues i Këshillit, z. Isa Mustafa, foli për rëndësinë dhe rolin e këtij Këshilli në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri Mustafa theksoi se ky vit ishte vit i zhvillimeve të rëndësishme sa i përket përmirësimit të klimës së biznesit në vend.

Në këtë mes, ai përmendi nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian si zhvillimin më të rëndësishëm i cili do të ketë impakt tejet pozitiv për ekonominë e vendit.

Ai shtoi se viti 2015 ishte vit i përmirësimit të shumë treguesve ekonomik, sikurse stabiliteti fiskal, rritja e investimeve të huaja direkte, që siç tha ai, ishte dy herë më e lartë se në vitin 2014.

Kryeministri tha më tej se Qeveria e Kosovës, ka ndërmarrë një sërë veprimesh strategjike të cilat do të japin efekte pozitive në zhvillimin ekonomik të vendit për vitet vijuese.

Ai, ndër të tjera, përmendi Ligjin për Investime Strategjike, i cili ka kaluar në Qeveri dhe pritet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri theksoi se në fokus kryesorë të Qeverisë së vendit do të jenë zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit, rritja dhe forcimi i iniciativës private dhe konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, etj.

Ai më tej shtoi se Qeveria po punon ngushtë edhe me partnerët dhe institucionet e huaja financiare, sikurse Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar etj., duke u zotuar se Qeveria do të vazhdojë të kultivojë dialogun me sektorin privat në mënyrë që të merren parasysh kërkesat e tyre për rritje të aktiviteteve ekonomike, krijim të vendeve të punës dhe rritje të mirëqenies.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, si koordinatore e Këshillit, theksoi që në periudhën në mes të dy mbledhjeve të Këshillit, kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme në vend dhe janë marrë një sërë vendimesh që përmirësojnë edhe më shumë klimën e të bërit biznes në Kosovë.

Natyrisht një kryelajm për Republikën e Kosovës është nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim që paraqet marrëveshjen e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

\"Ligjet e pakos së re fiskale, që kanë hyrë në fuqi më 1 shtator, kanë filluar të japin rezultatet e para. Presim që kjo ofertë e re të ndikoj posaçërisht në tërheqjen e më shumë investimeve të huaja direkte, që deri në muajin shtator kanë arritur në mbi 270 milion euro\", ka theksuar Bajrami.

Në periudhën në mes të dy mbledhjeve të Këshillit, Qeveria ka miratuar Projektligjin për Investime Strategjike me të cilin përcaktohen procedurat dhe kriteret për investime strategjike në Republikën e Kosovës, ndërsa Kuvendi ka miratuar në lexim të parë Projekt-ligjin për themelimin e Fondit për Garantimin e Kredive dhe presim që ky projekt-ligj të aprovohet nga Kuvendi i Kosovës gjatë këtij muaji. Është bërë poashtu progres i konsiderueshëm në përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim.

Ministrja më tej foli edhe për Raportin e Bankës Botërore të “Të Bërit Biznes 2016” sipas të cilit Kosova është ranguar në pozitën e 66 nga 189 vende të botës, që dëshmon për progresin në implementimin e reformave dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes në vendin tonë.

Në seancën e pararditës Këshilli diskutoi për Marrëveshjen për Asociim Stabilizim me BE-në dhe për përfitimet dhe obligimet që burojnë nga kjo marrëveshje.

Këshilli, po ashtu diskutoi për reformën në sistemin e inspektimeve dhe vendosi të inicojë ndryshimin e Projektligjit për Inspektimet dhe të hartojë një dokument i cili do të përcaktojë organet përgjegjëse, procedurat dhe afatin kohor të reformimit të sistemit të inspektimeve.
 
Këshilli po ashtu diskutoi për Raportin e Bankës Botërore për “Të Bërit Biznes 2016” dhe vendosi që t’i rekomandojë Qeverisë një propozim për caktimin e ministrive përgjegjëse për secilin indikatorë dhe caktimin e afateve kohore për implementimin e masave për përmirësimin e rangimit të Kosovës në këta indikatorë.

Sa i përket Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale, Këshilli kërkoi që plotësim-ndryshimi i këtij ligji të përfshihet në strategjinë legjislative të vitit 2016. 

Në takim, kryesuesit e grupeve punuese të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik raportuan për punën e tyre dhe në veçanti për progresin e arritur në adresimin e çështjeve që ua ka deleguar Këshilli.

Në seancën e pasditës,  u vazhdua me pjesëmarrjen e një numri të përfaqësuesve të bizneseve. Këshilli po diskuton për masat e propozuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim si dhe për masat e propozuara në Programin e Reformave Ekonomike.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)