Leku zhvlerësohet ndjeshëm kundrejt dollarit
Tiranë, 2 qershor - Leku shqiptar ka pasur prirje rënieje në tremujorin e parë të sivjetshëm, nën ndikimin e faktorëve kryesisht të jashtëm.
Gjatë kësaj periudhe, 1 dollar amerikan u këmbye mesatarisht me 124.6 lekë, duke shënuar një vlerë rekord në 12 vjetët e fundit.
Sipas bankës qendrore shqiptare, leku ka pasur një zhvlerësim prej 3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vlera më e lartë që nga nëntori 2010, dhe 1.8 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm.
Forcimi i vazhdueshëm i dollarit amerikan në tregun financiar ka qenë arsyeja kryesore të kësaj rënieje të kursit të këmbimit të lekut shqiptar me monedhën e gjelbër.
Për shkak të mungesës së trysnisë inflacioniste te partnerët tregtarë të Eurozonës dhe rritjes së inflacionit vjetor në Shqipëri, leku shqiptar u zhvlerësua vetëm 1.6 për qind në terma realë vjetorë. Në përputhje me zhvillimet e mësipërme, treguesi i trysnisë së tregut të këmbimit u rrit, megjithëse qëndroi poshtë mesatares së vet historike.
Në përputhje me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të këmbimit, për tetë tremujorë me radhë, dollari amerikan ka vazhduar të vlerësohet ndjeshëm kundrejt monedhës shqiptare.