Leku dobësohet ndaj valutave të huaja
Tiranë, 24 korrik - Monedha e Shqipërisë, leku, ka humbur terren ndaj euros dhe dollarit, duke shënuar kështu dobësimin e radhës.
Euro mundi të dobësohej lehtë gjatë ditëve të fundit me vetëm 0,24 lekë ndërkohë që në dy ditët e fundit ka ruajtur të njëjtat kuota, njofton \"abcnews\".
Sipas ekspertëve të tregut ky vlerëësim i lehtë i euros gjatë kësaj jave ka ardhur nga kërkesa e shtuar nga ana e bizneseve për valutë të huaj dhe nuk ka patur asnjë ndërhyrje nga Banka e Shqipërisë.
Sipas tyre këto dite tregu ka qenë mëse i qetë. Aq valutë sa ka hyrë, aq edhe është shitur.
Parashikimet e ekspertëve të tregut valutor tregojnë se nuk do të ketë ndonjë luhatje të madhe edhe në javën në vazhdim.
Periudha e verës parashikohet të ruajë në këto nivele monedhën europiane dhe sipas ekspertëve nuk do të shohim kuota shumë të larta apo shumë të ulëta të saj në treg.
Sipas tyre, niveli më i ulët që mund të arrijë euro, do të jetë 136 lekë. Ndërsa për dollarin amerikan në pjesën e dytë të javës monedha ka nisur të fitojë pikë.
Monedha amerikane e ka nisur javën në një kuotim prej 112.58, shumë pranë kuotës prej 113 lekë dhe e ka mbyllur në 112.17 lekë.
Ekspertët thonë se vlerësimi i dollarit është i pritshëm gjatë kësaj periudhe dhe forcimi i tij do të jetë edhe më i madh në javët në vazhdim.
Luhatjet e dollarit kanë qenë të shpeshta gjatë muajit të fundit, por gjithsesi monedha ka mundur të ruajë vlera të larta kundrejt lekut dhe euros.
Ekspertët paralajmërojnë se \"ky do të jetë viti i dollarit\", çka do të thotë se në javët në vazhdim mund të shohim kuota edhe më të larta të tij në tregun e këmbimit valutor.