LB kundër masave të reciprocitetit me Shqipërinë
Prishtinë, 22 dhjetor - Lëvizja për Bashkim u bën thirrje të dyja qeverive që praktikën e shkaktimit të vazhdueshëm të problemeve artificiale e kërcënimeve ndaj njëra-tjetrës ta zëvendësojnë me marrëveshje strategjike në interes të përbashkët dhe zbatim të tyre.
Dje, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, pas informimit për vendimin e Republikës së Shqipërisë për vendosjen e çmimit referent për pataten e Kosovës dhe vendosjen e kuotës për sasinë e eksportit të verës nga Kosova, deklaroi se nëse Tirana nuk kthen përgjigje pozitive për heqjen e këtyre masave, Kosova do të shtyhet që të aplikojë masa reciprociteti ndaj saj.
Lëvizja për Bashkim, konsideron se si masat e vendosura nga Republika e Shqipërisë ashtu edhe kërcënimi nga Republika e Kosovës janë të papranueshme për raportet brenda një kombi.
Këto janë probleme krejtësisht artificiale midis dy shteteve aktuale të cilat shkaktohen si pasojë e qasjes së gabuar të të dyja qeverive dhe të interesave të ngushta të grupeve të ndryshme të interesit.
Ndërtimi i një tregu të përbashkët, i cili do të çonte drejt një ekonomie të përbashkët shqiptare në rajon, do të ishte zgjidhja më mirë për prodhuesit e rrjedhimisht edhe për të gjithë qytetarët.
Lëvizja për Bashkim u bën thirrje të dyja qeverive që praktikën e shkaktimit të vazhdueshëm të problemeve artificiale e kërcënimeve ndaj njëra-tjetrës ta zëvendësojnë me marrëveshje strategjike në interes të përbashkët dhe zbatim të tyre.
\"Ato urgjentisht duhet të ndërrojnë qasjen ndaj kësaj çështjeje dhe retorikën, shpeshherë false patriotike, ta shndërrojnë në bashkëpunim konkret që do të shpinte drejt integrimeve të gjithanshme kombëtare\", thuhet në reagimin e LB-së.