Kusari - Lila: Turqia është investitori kryesor në Kosovë
Prishtinë, 10 prill - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila po merr pjesë në Samitin e 16 Ekonomik të Euro Azisë i cili po mbahet në Stamboll, ku ishte pjesë e dy paneleve: Investimet në Ballkan dhe bashkëpunimi ekonomik në mes të Turqisë dhe Ballkanit si dhe Modernizimi i Gruas.
Në panelin e saj të parë, ku të pranishëm ishin edhe ministra nga Rajoni, ministrja Kusari Lila foli për ambientin e të bërit biznes në Kosovë, investimet e huaja direkte me theks të veçantë bashkëpunimin me rajonin, zhvillimin e partneritetit publiko-privat e cila do të ishte shumë e rëndësishme për ngritjen efeciente të infrastrukturës publike dhe të shërbimeve si dhe liberalizimin e tregtisë.
Në vitin 2011, Turqia ishte investitori i tretë më i madh në Kosovë, ndërsa në vitin 2012 arriti të investoj 65.6 milion euro duke u bërë investitori kryesor në Kosovë - theksoi ministrja Kusari Lila.
Më tutje, me projekte konkrete, ajo tregoi mundësitë ku të investohet në Kosovë, duke përmendur përparësitë që ofron vendi ynë për investitorë.
Në samitin Ekonomik të Euroazisë që për çdo vjet mbledh lider botëror, ministrja Mimoza Kusari Lila foli për rëndësinë e modernizimit të gruas.
Unë besoj se modernizimi i gruas sot, duhet ta ketë vendin e saj në punë të mirë jo nga keqardhja e dikujt, por sepse ajo e meriton. Ne jemi më shumë se numër në shoqërinë tonë. Shoqëria ka nevojë për ne, për të kontribuar për një të ardhme më të mirë për djemtë dhe vajzat tona theksoi ajo.
Ministrja Kusari- Lila tha se ne duhet të bëjmë përpjekje që femrat të jenë të pavarura financiarisht dhe kjo do të përkthehej në ngritje të vetëbesimit, ngritje të zërit për vendime ekonomike dhe në familje.
Përgjegjësia e fuqizimit të gruas qëndron edhe tek gratë, të cilat duhet të punojnë më shumë ti fuqizojnë gratë e tjera në pozitat që ato kanë- theksoi ajo.
Në fund ajo përmendi angazhimet që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke ndërmarrë për femrat ndërmarrëse, duke i treguar projektet konkrete si dhe përmendi krijimin e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovë si institucion për fuqizim të grave në Kosovë.
Pjesë e këtij paneli ishin Princesha e Rumanisë, Margarita, Zonja e Parë e Shqipërisë Odeta Nishani, Zonja e Parë nga Maqedonia Maja Ivanova, zëvendësministri i Familjes dhe Politikave Shoqërore të Turqisë Askin Asan si dhe Gulsun Bilgehan, deputete e grupit turk PACE.
Samiti Ekonomik i Euro-Azisë organizohet nga Marmara Foundation