Kusari Lila: Tregtia mes Kosovës dhe Turqisë të thellohet më tutje

Në kuadër të panairit Ministrja Kusari Lila u takua me Ministrin e Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë të Republikës së Turqisë, Nihat Ergun.
Marrëdhëniet tregtare në mes Kosovës dhe Turqisë janë të mira por ne shpresojmë që shumë shpejt ky bashkëpunim të thellohet edhe më tutje tha zv. Kryeministrja Kusari Lila.
Ajo kërkoi mbështetjen e qeverisë së Turqisë për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë.
Kosova është në vazhdën e reformave të politikave tregtare dhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ku ka nevojë për mbështetje. Përvoja e Turqisë në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimin e zonave industriale tekno-parqeve janë fushat prej nga ne kërkojmë mbështetjen tuaj tha Ministrja Kusari Lila.
Në anën tjetër Ministri i Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë së Turqisë z.Nihat Ergun tha se marrëdhëniet tregtare në mes Turqisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme dhe në ngritje të vazhdueshme. Ne do të thellojmë marrëdhëniet në mes dy shteteve dhe do të mbështesim Kosovën në rrugën e zhvillimit ekonomik.
Ministri Ergun mbështeti kërkesën e Ministres Kusari Lila për mbështetje ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimin e zonave industriale të Kosovës.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë çelësi i zhvillimit ekonomik. Ne në Turqi kemi një Agjenci shtetërore e cila shërben për trajnime dhe ngritje profesionale të ndërmarrësve të rinj. Ne jemi të gatshëm që ti mbështesim ndërmarrësit e rinjë kosovar në edukimin, trajnimin dhe ngritjen e tyre. Ne presim që të dy ministritë tona të përcaktojnë detajet e bashkëpunimit në këto fusha
Ministri Nihat Ergun në këtë drejtim tha që investitorët turq kanë filluar ta shohin Kosovën si vend atraktiv për investime.
Kosova është një treg i vogël por bizneset turke përmes Kosovës tanimë kanë qasje në tregun e madh të Bashkimit Evropian. Unë jam i sigurtë që këto investime do të rriten në vitet e ardhshme për të mirën e të dy vendeve.
Panairin Ndërkombëtar të Izmirit e vizitojnë mesatarisht 1.5 milion vizitorë. Vitet e fundit në panair janë ekspozuar produkte të industrive me trend të zhvillimit siç janë industria e drurit, e automobilave, ndërtimit, pajisjeve shtëpiake, teknologjisë informative dhe telekomunikacionit.