Kusari Lila takohet me zëvendësambasadoren e SHBA-së Kelly C. Degnan
Prishtinë, 27 korrik - Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila priti sot në një takim njoftues Zv. ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës znj. Kelly C. Degnan së bashku me zyrtaren e lartë për Ekonomi Andrea J. Tomaszewicz.
Gjatë këtij takimi Zv.kryeministrja/Ministrja Kusari Lila informoi Zv. ambasadoren rreth punës së Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, të cilin ajo e kryeson, duke vënë theks të veçantë në përfshirjen e të gjitha Ministrive të sektorit ekonomik dhe Asosiacioneve të Biznesit.
Gjithashtu në takim u prezantua edhe promovimi i politikave të ndërmarra nga MTI në përkrahjen e prodhimeve vendore. Gjatë bisedës u permend rëndësia e ngritjes së kapaciteve menaxhuese të ndërmarrësve dhe rëndësia e lëndës së ndërmarrësisë në shkolla. Në anën tjetër Zv. kryeministrja/Ministrja Kusari Lila theksoi faktin se bashkëpunimi me sektorin privat dhe shoqatat industriale është i një rëndësie mjaft të veçantë.
Sa i përket iniciativave të reja, Zv.kryeministrja/Ministrja Kusari Lila informoi Zv. ambasadoren për iniciativat legjislative të MTI, si ajo për Zonat e Lira Ekonomike dhe për Ligjin për Investimet e huaja.
Gjatë këtij takimi me një interes të veçantë u paraqit edhe organizimi i Konferencës për Investime në SHBA, e cila do të mbahet me 25 shtator në Washington DC, në bashkëpunim me AmCham dhe Odën Ekonomike të SHBA-ve në DC.
Gjithashtu Zv.ambasadorje u njoftua rreth përgaditjeve për konferencën e investimeve, e cila do të mbahet në Prishtinë me 7 nëntor të këtij viti. Në takim u diskutua edhe për fuqizimin e gruas në ndërmarrësi dhe në jetën publike në Kosovë.
Zv. Ambasadorja shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të dyanshëm në mes të dy instituciove.