Kusari - Lila: Sektori privat bosht i zhvillim ekonomik
Prishtinë, 27 shkurt - Zëvendëskryeministrja dhe ministrja Mimoza Kusari Lila mori pjesë në përfundimin e projektit Mbështetja nga BE për Zhvillimin e Bizneseve në Kosovë përmes Programit për Rritjen e Ndërmarrjeve (EGP) dhe Shërbimeve këshilluese për Biznesin (BAS), ku foli për rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme.
Ministrja Kusari Lila para një numri të madh të bizneseve pjesëmarrëse tha Ballafaqohemi me sfida të shumta, por këto sfida adresohen vetëm kur jemi të hapur dhe i diskutojmë qartë, kur e dimë se ne mund të përparojmë si shoqëri vetëm kur kemi sektor privat, të cilët e bartin barrën e zhvillimit, barrën e punësimit mirëpo edhe kanë përfitime të cilat janë atraktive jo vetëm për bizneset kosovare por edhe për ato ndërkombëtare.
Ndërsa, Shefi i Operacioneve të BE-së, ChristofStock tha se përmes këtij projekti është ngritur konkurrenca në treg. Ai shtoi se ka vizituar disa biznese që kanë qenë përfitues të këtij projekti dhe se implementimi i tyre ka qenë mbresëlënës.
Ky program 40 mujor kishte për qëllim promovimin e ndërmarrjeve, zhvillimin dhe avancimin si dhe punësimin më të madh përmes ndihmesës në përzgjedhjen e bizneseve të vogla dhe të mesme ku përfshihet edhe sektori i bujqësisë dhe zonat e pazhvilluara ekonomikisht. Brenda këtij programi janë implementuar 29 projekte të EGP, 79 projekte të BAS si dhe 10 aktivitete për zhvillimin e tregut dhe sektorëve të ndryshëm.
Në fund të ceremonisë përmbyllëse është prezantuar programi Mbështetja e bizneseve të vogla, prezantimi i përvojave nga përfituesit e BAS-it dhe EPG-së.
Në përmbyllje të projektit, sot, u prezantua edhe mundësia më e fuqishme e mbështetjes së sektorit privat nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.