Kusari-Lila në interpelancë për tarifën e çimentos nga Shqipëria
Prishtinë, 9 korrik - Të enjten, më 12 korrik, fillon mbledhja e fundit plenare e Sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, e cila për shkak të agjendës së ngjeshur mund të zgjasë edhe ditën e premte.
Kështu ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga dr.Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.
Si rëndom në seanca të rregullta, fillimisht do të shterohen deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës. Në vazhdim do të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-079 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2012. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet edhe Projektrregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ministrja Mimoza Kusari-Lila paraqitet në interpelancë lidhur me vendimin e marr nga MTI për vendosjen e tarifës prej 35 % çimentos nga Shqipëria. Interpelanca mbahet sipas kërkesës së grupit të deputetëve nënshkrues.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohen: Raporti i dytë për zbatimin e Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrim evropian për vitin 2012, Raporti vjetor të punës i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, për vitin 2011, si dhe Raporti vjetor dhe pasqyrave të audituara të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, po për vitin e shkuar.
Në të njëjtën seancë, sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues, do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me përdorimin e tri kodeve të huaja telefonike në Kosovë.
Si pika të fundit të rendit të ditës së seancës së fundit të Sesionit pranveror do të jenë: shqyrtimi i parë i Projektligjit për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës në bashkëpronësi, si dhe shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media.
Anëtarët e Kryesisë, në takimin e sotëm, janë njoftuar lidhur me vizitën e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të realizuar në Slloveni, si dhe me vizitën në Mal të Zi të kryetarit të Komisionit për Integrime Evropiane.