Kusari - Lila: Konsumimi i produkteve tona rritë ekonominë
Prishtinë, 1 qershor - Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, një grup nxënësish të klasës së pestë të Shkollës Fillore Hasan Prishtina në kryeqytet, kanë vizituar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë-MTI.
Nxënësit janë pritur nga Ministrja e MTI-së, Mimoza Kusari- Lila, e cila i ka njoftuar nxënësit me aktivitetet e Ministrisë, rolin e saj për zhvillimin e tregtisë dhe industrisë kosovare, mënyrën e organizmit dhe zhvillimit të punës si dhe synimet e Ministrisë.
Ministrja, Kusari- Lila i ka shpjeguar nxënësve mënyrën e funksionimit të MTI-së, departamentet dhe detyrat që kryejnë zyrtarët e të gjitha niveleve në Ministri, si dhe rëndësinë e digasterit që ajo drejton.
Ministrja Kusari- Lila, ka bashkëbiseduar me nxënësit edhe për produktet vendore dhe nevojën që ato të përdoren nga të gjithë qytetarët e Kosovës, para se të përdoren produktet e huaja, e veçanërisht ato që vijnë nga Serbia.
Zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi i bizneseve është çelësi i zhvillimi të një shteti dhe konsumimi sa më i madh i produkteve tona ndikon në rritjen e ekonomisë tonë, i tha Ministrja Kusari Lila, nxënësve të pranishëm në këtë vizitë.
Më pas, nxënësit kanë shtruar pyetje të ndryshme për Ministren, e cila iu është përgjigjur interesimit të tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me punën e MTI-së dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Në fund, Ministrja iu ka dhuruar nxënësve nga një përmbledhje të botuar të historikut të aktiviteteve të MTI-së.
Pas vizitës në MTI, nxënësit e Shkollës Hasan Prishtina, kanë vizituar Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, si dhe Fabrikën Vipa Chips në Pestovë. Atje nxënësit u njohën nga afër me mënyrën e përpunimit të patates dhe prodhimin e Vipa Chips, si dhe i shijuan ato.