26 Dhjetor 2024

Kusari - Lila kërkon mbështetje nga komuna e Bursës

Bursa, 15 prill - “Bashkëpunimi  ekonomik me qytetin e Bursës është i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës dhe për këtë arsye ne kërkojmë mbështetjen e qytetit tuaj për të ndarë përvojat e zhvillimit industrial me bizneset kosovare”, ka deklaruar zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila në takime të ndara me Kryetarin e Komunës së Bursës, Recep Altepe, dhe Prefektin e Qytetit, Sahabetin Harput. 

Takimet janë pjesë e një vizite më të gjerë të Ministres Kusari Lila në Turqi përfshirë Stambollin, Izmirin dhe Bursën, për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik në mes Kosovës dhe Turqisë me theks të veçantë në promovimin e investimeve dhe zhvillimin industrial.


“Historia është e rëndësishme për të dy vendet tona, por po aq të rëndësishme janë edhe kushtet e të bërit biznes, mundësitë për investime dhe zhvillimi ekonomik”- tha ministrja Kusari Lila. “Për shkak të historisë sonë, bashkëpunimi ekonomik me Turqinë dhe sidomos me Bursën, ku jetojnë një numër i madh i shqiptarëve, vjen natyrshëm. Por ne nuk i ftojmë bizneset nga Bursa të investojnë në Kosovë vetëm për shkak të lidhjeve të gjakut, por për shkak se Kosova është duke i përmirësuar kushtet për të bërit biznesi dhe investime të jashtme, në maj të këtij viti do të nënshkruajmë marrëveshjen për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve, dhe ne jemi në prag të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në mes të Kosovës dhe Turqisë”, përfundoi ajo.

Ministrja falënderoi kryetarin Altepte për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në zhvillimet e përgjithshme gjatë luftës dhe pas saj.


Kryetari i Komunës së Bursës, Recep Altepe, ka theksuar që bizneset e Bursës kanë investuar në Prishtinë, Obliq, Gjilan dhe Mamushë, por mbështetja nuk do të përfundoj me kaq, vazhdoi ai. “Ne do të ndihmojmë Kosovën edhe më shumë duke vazhduar investimet dhe duke ndihmuar sektorët e industrisë, tregtisë dhe bujqësisë”.  Pas kërkesës së ministres Kusari-Lila, kryetari Altepe premtoi që së shpejti Komuna e Bursës do të financoi rregullimin e një parku të ri në Prishtinë që gjendet në mes Qendrës Klinike Universitare, Fakultetit Teknik dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Prefekti i Bursës, Sahabetin Harput, ndërkaq, duke shprehur afërsinë emocionale në mes të shqiptarëve dhe turqëve tha që Kosova është mike e ngushtë e Turqisë dhe për këtë “unë sot ndihem që Turqia ka 75 milionë shqiptarë”. Ai po ashtu njoftoi Ministren Kusari Lila për punën e mirë që bëjnë shoqatat e shqiptarëve të Bursës për promovimin dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Turqi. “Përveç që ndihmojnë në zhvillimin e Turqisë, shqiptarët që jetojnë në Bursa bëjnë punë të mirë në promovimin e Kosovës në Turqi duke promovuar investimet dhe lidhjet më të ngushta ekonomike në mes vendeve tona”, tha ai.


Në Bursa, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila u takua edhe me shoqatat e shqiptarëve dhe vizitoi disa fabrika të industrisë së rëndë në këtë qytet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)