Kusari - Lila: Kemi përmbyll me sukses vitin 2012

Prishtinë, 21 dhjetor - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila prezantoi sot të arriturat, sfidat si dhe objektivat e vitit 2013.
Në vitin 2012, Kosova sipas ministres Kusari - Lila ka shënuar progres të ndjeshëm në Raportin e Bankës Botërore e të Bërit Biznes. Kosova ka përmirësuar treguesin e Fillimit të Biznesit për 44 vende në krahasim me vitin e kaluar.
Treguesi për Lejet e Ndërtimit sipas saj është përmirësuar për 33 vende, ndërkohë që përmirësimet më të mëdha janë bërë te Mbrojtja e Investitorëve, ku Kosova ka lëvizur pozitivisht për 76 vende.
Qasja në Rrymë Elektrike është përmirësuar për 6 vende, Pagesa e Taksave për 4, Tregtia Ndërkufitare është përmirësuar për 9 vende, ndërsa Zbatimi i Kontratave për 1 vend.
Kusari Lila ka ndërkohë ka theksuar se me iniciativën e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), të udhëhequr nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, janë iniciuar një sërë reformash të cilat kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të biznesit, forcimin e sektorit privat, si dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Ajo ka bërë të ditur se departamenti i Tregtisë në MTI është duke i forcuar kapacitetet për të qenë i gatshëm të përballet me sfidat e reja nga procesi i Stabilizim Asociimit dhe negocimin e marrëveshjeve tregtare me vendet tjera. MTI ka filluar negocimin e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë me Turqinë dhe ka identifikuar mallrat dhe shërbimet sensitive.
\"Është përgatitur analiza që parasheh efektin ekonomik të Marrëveshjes së Tregut të Lirë me BE-në ndërkohë që janë shqyrtuar dhe zgjidhur raste të ndryshme të dëmtimit të tregut në Kosovë nga kompanitë e huaja dhe nga distributoret kosovarë.\"
Kusari Lila po ashtu ka thënë se Agjencia për Promovim të Investimeve në Kosovë ka organizuar 13 konferenca për investitorë të jashtëm në vitin 2012.
Në këto konferenca gjithnje sipas saj kanë marrë pjesë mbi 500 investitorë të huaj potencial të interesuar për të investuar në Kosovë. MTI ka realizuar reklama me Kompaninë Mediale CNN për të promovuar turizmin vendor dhe promovimin e Kosovës si vend i përshtatshëm për investime.
\"Është finalizuar Plani i Veprimit të Strategjisë së zhvillimit të NVM-ve. AMNVM-ve, në mars, ka organizuar ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për 12 biznese të reja dhe 4 biznese ekzistuese për zgjerim për vendosje në Parkun e Biznesit në Drenas (PBD), gjithsej 16 biznese.\"
\"Në bashkëpunim me MASHT-in dhe OECD-në është në përfundim hartimi i Strategjisë së Inovacioneve 2013-2017. MTI ka vendosur për krijimin e Zonës ekonomike Parku i Biznesit në Mitrovicë\", ka pohuar Kusari - Lila.
MTI ka punuar në futjen e zyrave regjionale të inspektimit të tregut nën ombrellën e MTI-së. Inspektorati i Tregut ka përmirësuar bashkëpunimin me trupat për vlerësim të konformitetit për karburantet e lëngëta të naftës.
Me rregulloren e re të MTI-së, mbrojtja e konsumatorit është themeluar si njësi e veçantë. Ndërkaq, Zyra për të Drejtat e Pronësisë Industriale (ZPI), gjatë vitit 2012, përmes protokollit të ZPI-së ka pranuar 11,220 kërkesa të llojeve të ndryshme për objekte të pronës industriale.
Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka vazhduar procesin e shkurtimit të procedurave, kohës së regjistrimit të biznesit dhe hapjen e qendrave të reja nëpër Kosovë. Departamenti i Turizmit ka vazhduar me licencimin e Agjencive Turistike dhe klasifikimin e objekteve hoteliere, ku janë licencuar 19 agjenci. Ndërkohë, Kosova tanimë ka për herë të parë rezervat e para shtetërore të grurit.
Aktivitetet e MTI-se gjatë vitit 2012 po ashtu kanë përfshirë reforma në legjislacion, ku edhe janë përmirësuar dhe aprovuar në Kuvend: Ligji për Metrologjinë, Ligji për Metalet e Çmuara, Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, Regjistrimin e Pengut ne Regjistër. Ndërsa në procedurë të ndryshimit e të cilat janë aprovuar në Qeveria janë: Ligji për Zonat Ekonomike, Ligji për Turizmin, Ligji për Produktet e Ndërtimit, dhe Investimet e Huaja.
Planet e MTI-së për 2013 përfshijnë: Përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, mbështetjen e NVM-ve dhe promovimin e investimeve, një mekanizmi financiar që lehtëson koston e bizneseve, vazhdojë negocimin e marrëveshjeve tjera për promovim dhe mbrojtje të investimeve me vendet tjera, përmirësimin e politikave tregtare, përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave, përmirësimin e mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit.