Kusari-Lila i njoftoi përfaqësuesit e BERZH për aktivitetet e MTI
Prishtinë, 15 janar - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari - Lila priti një delegacion të nivelit të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Delegacioni i përbërë nga Jean-Marc Peterschmitt, Drejtor Menaxhues për Evropë Qëndrore dhe Juglindore, Alan Rousso, Drejtor Menaxhues i Politikës së Jashtme, Claudio Viezzoli, Drejtor për Ballkanin Perëndimor, Oleg Levitin, Konsul i Lartë Politik, Peter Sanfey, zv. Drejtor i Politikave dhe Strategjisë së shtetit si dhe Anton Kobakov, Udhëheqësi i Zyrës në Prishtinë e njoftoi Ministren Kusari-Lila për planet e BERZH për zgjerimin e operacioneve te saja në Kosovë pas anëtarësimit të plotë të Kosovës në këtë institucion financiar.
Anëtarët e delegacionit biseduan posaçërisht për programet e tyre në fushën e përkrahjes së zhvillimit të sektorit privat, fushë kjo që bie nën ombrellën e MTI-së.
Nga ana e saj Ministrja Kusari-Lila i njoftoi përfaqësuesit e BERZH për aktivitetet e MTI-së me fokus të veçante në projektin për garantimin e kredive të NVM-ve, projekt ky i bashkë-financuar nga Qeveria e Austrisë, Zvicrës dhe Kosovës.
Ajo gjithashtu theksoi interesimin e MTI-së për ofrimin e me shumë instrumenteve garantuese që do të përkrahnin qasjen e NVM-ve ne financa e posaçërisht të atyre që kanë kapacitete për eksport në sektorët e bujqësisë, të industrisë dhe atë të shërbimeve.
Më tej nga ana e përfaqësuesve të BERZH ministrja u informua për planet e BERZH-it që të zhvillojnë një strategji afatmesme të angazhimit në Kosovë dhe që ne kuadër të kësaj strategjie Qeveria e Kosovës dhe BERZH të akordohen për projektet konkrete që do të financohen.
Ministrja Kusari-Lila dhe përfaqësuesit e BERZH u dakorduan të vazhdojnë takimet gjatë muajve në vijim posa të jetë i gatshëm drafti i parë i strategjisë për Kosovën.
Në fund të vitit që lamë pas Kosova është bërë anëtarja e 66-të e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm financiar ndërkombëtarë është mundësi e mirë drejt zhvillimit dhe forcimit të ekonomisë së tregut të lirë.