Kusari - Lila fton bizneset nga Turqia të investojnë në Kosovë
Stamboll, 15 prill - Në kuadër të vizitë së saj në Turqi, Zv. Kryeministrja Mimoza Kusari-Lila, takoi bizneset turke, shoqatat shqiptare të Stambollit dhe Bursës të cilët i ftoi të investojnë në Kosovë.
Nën organizimin e Bordit për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë (DEIK), Zv. Kryeministrja Kusari-Lila u takua në Stamboll me biznesmenë të interesuar për të investuar në Kosovë. Ajo ftoi bizneset turke që të investojnë në Kosovë duke thënë se Kosova për çdo ditë është duke u bërë vend më i favorshëm për investime.
Ne kemi lehtësuar procedurat e të bërit biznes; nga qershori i këtij viti do të hyjë në fuqi pakoja e re fiskale që të mundësojë heqjen e doganës për import të makinerive prodhuese dhe procedurat e importit dhe eksportit janë reduktuar në minimum tha ajo.
Duke pasur parasysh që Turqia ka zënë vendin e top 5 partnerëve ekonomik të Kosovës, Ministrja Kusari - Lila tha se Kosova së shpejti do të bëhet vend edhe më atraktiv për investimet turke.
Megjithëse bizneset turke siç janë Enka, Limak, TEB dhe bizneset tjera janë të pranishme në Kosovë, në fund të muajit maj të këtij viti, ne do të lansojmë fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në mes Kosovës dhe Turqisë e cila do të ndihmojë në rritjen e numrit të investimeve turke.
Udhëheqësi për Kosovën në DEIK, z. Sadullah Sipahioglu, tha para të pranishmëve që Kosova është vend i rëndësishëm për investime dhe biznesmenët me origjinë shqiptare duhet që shikojnë mundësitë për investime të reja në Kosovë.
Ndërsa ministrja Kusari Lila tha:Kosova ka përparësitë e veta sepse përdorë euron, ka 7 ditë në javë fluturime për Prishtinë, Kosova është pjesë e Marrëveshjes Preferenciale me Bashkimin Evropian që mundëson qasjen pa doganë në tërë tregun evropian, si dhe është pjesë e Marrëveshjes Rajonale për Tregti të Lirë (CEFTA) duke përfunduar që bizneset turke të shqiptarëve duhet të rrisin nivelin e komunikimit edhe më shumë me Kosovën sepse kjo është rrugë e mirë për të kryer obligimin tonë për mbështetje të zhvillimit të Kosovës.
Me ftesë të Shoqatës së Industrialistëve të Bursës (BOSIAD) dhe Shoqatës së Biznesmenëve dhe Industrialistëve të Rumelisë, Zv. Kryeministrja Mimoza Kusari - Lila vazhdoj vizitën e saj në qytetin industrial të Bursës . BOSIAD përfaqëson më shumë se 350 biznese industriale të Bursës të cilët janë të interesuar për të investuar jashtë Turqisë.
Ne kemi nevojë dhe duam të mësojmë nga përvoja e zhvillimit të Bursës. Zhvillimi industrial i Bursës shërben si një shembull i mirë për zhvillimin e Kosovës dhe në këtë drejtim unë ju ftoj që përvojat tuaja, përmes investimeve, ti sjellni në Kosovë. Unë ju garantoj që nuk do të zhgënjeheni dhe do të shihni që Kosova ka fuqi të lirë punëtore, është vend me plot energji, dhe ka resurse të mëdha natyrore, tha ministrja Kusari Lila gjatë vizitave që i bëri disa fabrikave të prodhimit të tramvajeve, makinerisë së rëndë, radiatorëve, tekstilit dhe bukës në këtë qytet ku jetojnë një numri i madh i shqiptarëve.
Kryetari i BOSIAD, Mustafa Barutcuoglu, shprehu bindjen e tij që biznesmenët nga Bursa do të investojnë edhe më shumë në Kosovë sepse Kosova është një treg i ri që sjell përfitime të dyanshme, për bizneset turke dhe për ekonominë kosovare.
Ne kemi përvojë në zhvillimin industrial dhe këtë ne do ta përcjellim te bizneset e Kosovës. Unë i ftoj të gjithë biznesmenët nga Bursa që ta shohin Kosovën me vëmendje të veçantë sepse atje ka potencial për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Këto takime janë vazhdimësi e vizitës së Zv. Kryeministres Kusari - Lila në Turqi. Fillimisht ajo mori pjesë në Samitin Ekonomik Euroaziatik të organizuar nga Fondacionit Marmara ku pjesëmarrës ishin një numër i madh i presidentëve kryeministrave, ministrave dhe ish-presidentëve nga Ballkani, Turqia dhe vendet e Azisë së Mesme, më pas takoi ministren Fatma Şahin, Ministre për Familje dhe Politika Sociale.