Kusari - Lila: Drenasi shembull i mirë për zhvillimin e bizneseve
Prishtinë, 5 prill - Në vazhdën e takimeve nëpër komuna, Zv. Kryeministrja Mimoza Kusari Lila vizitoj komunën e Drenasit, me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit publiko-privat dhe përkrahjes së bizneseve.
Së bashku me Kryeshefin e Agjencisë për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, ministrja Kusari Lila fillimisht takoj Kryetarin e Komunës së Drenasit Nexhat Demaku me të cilin diskutuan për implementimin e ligjit për Inspektoriat, ligjit për Tregti të Brendshme si dhe funksionimin e Parkut të Biznesit në Drenas.
Demaku, ligjin për inspektoriat nuk e sheh si problematike, përkundër hezitimeve nga kryetarë tjerë të komunave, ai u shpreh i gatshëm të filloj implementimin e këtij ligji, ndërsa për ligjin për tregti të brendshme ai tha: Që nga hyrja në fuqi e ligjit për inspektoriatin e tregut, ne nuk e kërkojmë lejen e komunës, regjistrimi i biznesit është pa pagesë dhe bizneset mund të regjistrohen brenda ditës pa kurrfarë problemi.
E shoqëruar nga kryetari i komunës, ministrja Kusari Lila vizitoj fabrikën e Ferronikelit. Nga menaxhmenti i kësaj kompanie, ajo u njoftua me punën dhe sfidat e Ferronikelit.
Sipas drejtorit menaxhues John Gaitanos problematikë kryesore mbetet çështja e pronave, për të cilën kishin diskutuar disa herë me kryetarin e komunës, ndërsa gjatë njoftimit të punës së tyre ai njoftoj të pranishmit për projektin e ndërtimit të rrugës 2 kilometërshe të financuar nga NewCo Ferronikeli.
Në anën tjetër, Zv. Kryeministrja Kusari Lila, përkrahu iniciativat e ndërmarra nga Ferronikeli dhe vlerësoj se kjo kompani është rrugës së drejt në aspektin e përmbushjes së standardeve ambientaliste me standarde Evropiane.
Më tutje, ministrja Kusari Lila takoj disa biznese të cilët tashmë kanë filluar punimet në Parkun e Biznesit në Drenas. Pas diskutimeve me ta, në një konferencë për shtyp ajo tha:
Vitin e kaluar kur kam marrë udhëheqjen e ministrisë, një prej problemeve që kam trashëguar kanë qenë ngecjet në Parkun e Drenasit. Me qëllim të ringjalljes së këtij parku, ne kemi bërë përpjekje të përshpejtojmë punët: kemi ndryshuar formatin e kontratave në mënyrë që ti inkurajojmë bizneset të punojnë më shpejt. Jemi të kënaqur të shohim këto lëvizje nga viti i kaluar në këtë vit. Synimi ynë është që deri në pranverën e vitit të ardhshëm, bizneset të jenë në proces të prodhimit, e cila do të ndikojnë edhe në uljen e deficit tregtarë të Kosovës, uljen e papunësisë si dhe të jetë model i suksesshëm të cilën do ta aplikonin edhe komunat tjera.
Në këtë park ka filluar të bëhet riciklimi i plastikës. Drejtori i fabrikës Plastika, Astrit Shabani, tha se përkundër fjalëve se është e pamundur të punohet në këtë park për shkak të mungesës së rrymës apo ujit, unë mund tua dëshmoj se tashmë fabrika që unë drejtoj është duke bërë përpunimit dhe prodhimit e plastikës.
Gjatë tremujorit të parë të këtij viti në komunën e Drenasit janë regjistruar 61 kompani. Vetëm Ferronikeli ka të punësuar 1000 punëtorë ndërsa numër të njëjtë parashikon të punësoj Parku i Drenasit.