20 Prill 2025

Kusari: CEFTA nuk po respektohet nga të gjitha vendet anëtare

Tiranë, 8 nëntor - Sot në Tiranë u mbajt takimi i Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s. Nën udhëheqjen e Shqipërisë, në takim morën pjesë Ministrat e vendeve anëtare të CEFTA-s.

Në takim u diskutua për mbarëvajtjen e implementimit të CEFTA-s dhe u miratuan vendimet për themelimin e Grupit Punues për Menaxhim të Riskut, dhe për njohjen e ndërsjellë të trupave për vlerësim të konformitetit. Ministrat në takim vendosën që, pas anëtarësimit të Kroacisë në BE, me 1 korrik, 2013,  depozitori i ri i CEFTA të jetë Shqipëria.

Zëvendëskryeministrja Kusari Lila në fjalimin e saj theksoi që vendet anëtare të CEFTAs duhet të jenë më serioze në implementimin e plotë të Marrëveshjes së CEFTAs.

“Zbatimi i Marrëveshjes së CEFTAs deri më tash ka dhënë rezultate të përziera. Të gjithë ne e dimë që CEFTA nuk po zbatohet plotësisht nga vendet anëtare. Edhe sot, kur ne po diskutojmë për rritjen e bashkëpunimit në mes nesh, ne po përballemi me barriera të reja teknike nga vendet e CEFTAs të cilat nuk i shërbejnë përmirësimit dhe ngritjes së marrëdhënieve tregtare në mes vendeve tona.”

Ministrat e vendeve anëtare të CEFTAs u pajtuan që vendet anëtare të CEFTAs duhet të bëjnë më shumë për të zbatuar marrëveshjen.

Me këtë rast, Ministrja Kusari Lila tha që shpreson se CEFTA duhet të shërbejë si organizatë që mbështet liberalizimin e tregut dhe ekonominë e lirë duke u respektuar nga të gjitha vendet anëtare.

”Unë mbes me bindjen që ne të gjithë kemi vullnetin e duhur për ti zbatuar të gjitha zotimet të cilat i kemi marrë me këtë marrëveshje. Ne besojmë në përfitimet që na sjellin tregjet e hapura Brenda dhe jashtë vendeve tona. Në fund të fundit, ne të gjithë e ndajmë një qëllim të përbashkët që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, përfundoi zv.Kryeministrja Kusari Lila.

Takimet e Ministrave të Komitetit të Përbashkët të CEFTAs janë takime vjetorë të cilat mbahen në fund të vitit me qëllim të diskutimit dhe marrjes së vendimeve strategjike për vitin në vijim.

Në vitin 2012 CEFTA udhëhiqet nga Shqipëria, ndërsa në vitin 2013, udhëheqëse do të jetë Bosnja e Hercegovina.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)