22 Dhjetor 2024

Kroacia premton lehtësime në marrjen e vizave

Prishtinë, 20 gusht  - Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka bërë gati një letër që t’ia dërgojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë për lehtësimin e lëvizjes së  udhëtarëve kosovarë që jetojnë në diasporë.

Gërxhaliu tha se diaspora kosovare nëpër ambasadat e Kroacisë nuk trajtohet mirë dhe këtë shqetësim ia kumtojë edhe ambasadorit të Kroacisë në Kosovë, Zlatko Kramariç gjatë një takimi që zhvilluan në OEK.

“Atë që dua ta veçoj është se barrierat e shumta që po ballafaqohet diaspora kosovare në Evropë sa i përket lëvizjes, sidomos në sezonin e verës për të ardhur në Kosovë dhe për këtë OEK-u ka marrë shumë ankesa nga ana e diasporës. Ne i treguam z. Kramariç se si OEK, kemi përgatitur një letër që do ta dërgojmë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë me të vetmin qëllim që popullata e Kosovës që jeton në diasporë të mos ballafaqohet me këto probleme në të ardhmen”, tha Gërxhaliu.

Ai tha se Kroacia do të vazhdojë edhe lobojë për shtetin e Kosovës. “Ne kërkuam që Kroacia ta vazhdojë atë rrugën e lobimit për Kosovës dhe përkrahjen në proceset politike”. Gërxhaliu tha se është koha që duhet të bisedohet për një marrëveshje për punësim sezonal të fuqisë punëtore në Kroaci.

“Është koha kur duhet të jemi të orientuar më tepër që të gjendet një formë që fuqia e re e Kosovës ta gjej veten në aspektin të paktën sezonal të jenë të pranishëm në Kroaci, sepse Kroacia ka nevojë enorme për fuqi të re punëtore. Dhe në këtë drejtim OEK-u do të bëjë çmos që t’i gjej mundësit e ndërmjetësimit që të rit kosovarë të jenë pjesë e këtij punësimi në Kroaci”, tha Gërxhaliu.

Ndërsa ambasadori Kramariç tha se të gjitha kërkesat do t’i marrin seriozisht dhe sipas tij pas pushimeve verore Kroacia do të fokusohet në problemin me viza.

“Do të mundohemi të mundësojmë lëvizjen më të mirë të qytetarëve të Kosovës. Deri më tani kemi ndihmuar që personat me pasaporta diplomatike apo zyrtare dhe ata që jetojnë në Kroaci të lëvizin lirisht. Ne presim disa marrëveshje në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës dhe tash së shpejti do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të Kosovës dhe asaj të Kroacisë që të mundësohet lëvizja e lirë e punëtorëve sezonal”.

Kramariç tha se Kroacia po lobon për njohjen e Kosovës dhe bënë thirrje që të ketë njohje sa më shumë.

“Ne jemi të gëzuar që GJND-ja ka vendosur në favor të Kosovës dhe presim nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovës deri më tani, ta bëjnë sa më shpejt një gjë të tillë”.

Kramariç tha se biznesi kroat është i interesuar të investojë në Kosovë dhe sipas tij nuk ka fushë të ekonomisë që nuk është investuar nga Kroacia në Kosovë.

“Edhe në të ardhmen Kroacia do ta vazhdojë interesimin për të investuar në Kosovë sepse është interesi i Kroacisë që të jetë promotor i zhvillimit ekonomikë në Kosovë”, tha ai.

Elhami Ismajli

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)