25 Dhjetor 2024

Kriza në Greqi ndikon në remitancat dhe tregtinë e Shqipërisë

Tiranë, 24 janar - Çdo përkeqësim i situatës ekonomike në Greqi, reflekton pasoja negative për ekonominë e Shqipërisë, kjo jo vetëm për faktin se Greqia renditet e dyta në listën e partnerëve tregtarë të Shqipërsië, por edhe se ajo renditet e para në numrin e emigrantëve shqiptarë që jetojnë atje.

Duke analizuar drejtimet ku preket ekonomia shqiptare nga kriza greke rezulton se, biznesi grek është prezent në mjaft sektorë të ekonomisë në Shqipëri, sidomos në telefoninë celulare, në sektorin bankar, burimet e energjisë, industri, ndërtim, tregti, turizëm, transport etj, ndërsa investimet greke zënë afro 1/3 e investimeve të huaja direkte. Po kështu, në shifra të ndjeshme janë dhe eksport-importet më këtë vend.

Po ashtu është numri shumë i madh i emigrantëve në Greqi rreth 700 mijë, që çdo vit sjellin shuma të konsiderueshme valute, si dhe që kanë depozita bankare në Greqi. Të gjithë këta elementë detyrimisht preken nga kriza greke dhe detyrimisht kanë një efekt zinxhir negativ në ekonominë shqiptare.

Pra e thënë shkurt, kriza greke solli pakësimin e të ardhurave që vijnë nga emigrantët shqiptarë, përkeqësimin e statusit të punëtorëve emigrantëve, ndërsa një sërë ndërmarrjesh, të tipit \"fasone\", që kanë aktivitet në zonën juglindore ose jugore të Shqipërisë humbën tregun në Greqi, rrjedhimisht ulën volumin e prodhimit, duke ulur edhe numrin e të punësuarve.

Qeveria greke ka marrë masa relativisht të forta, që lidhen me rritje taksash, ulje shpenzimesh buxhetore, ngrirje të rritjes së pagave e pensioneve, etj, pasoja këto që sollën uljen e ritmit të rritjes së ekonomisë, rritjen e papunësisë si dhe u shoqëruan me rritje inflacioni.

Zhvillimet në tregun e brendshëm grek rritën çmimet e produkteve duke përkeqësuar dhe volumin e importeve drejt Shqipërisë. Gjatë 11 muajve të parë të vitit që lamë pas, statistikat e fundit të zyrtarizuara, tregojnë se drejt Shqipërisë janë importuar mallra me vlerë 51,859 milionë lekë nga 53,235 milionë lekë mallra të importuara për të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Ndërsa për sa i takon eksporteve situata paraqitet pak më pozitive. Nëse gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2010 janë eksportuar 8,018 milionë lekë mallra, gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2011 janë eksportuar 9,303 milionë lekë mallra.

Masat e marra nga qeveria greke nuk ndikuan vetëm në importet. Ato dhanë ndikim direkt për emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi. Rezultantja është që emigrantëve shqiptarë u mbeten më pak kursime për t’u dërguar familjeve këtu, apo dhe për të zhvilluar ndonjë biznes apo blerë pasuri në Shqipëri.

Nga të dhënat e Zyrës Evropiane të Statistikave rezulton se gjatë vitit 2010, dërgesat e emigrantëve shqiptarë, në kulmin e krizës greke arritën në 514 milionë euro, shifër kjo më e lartë se në vitin 2009. Gjatë vitit 2010, kriza financiare dhe ekonomike greke bëri që emigrantët shqiptarë që punonin dhe jetonin në Greqi të humbitnin besimin në sistemin bankar grek. Nën këtë panik dhe pasiguri, pjesa më e madhe e emigrantëve e kanë parë si më të sigurt Shqipërinë.

Sipas raportit më të fundit të Zyrës Evropiane të Statistikave, gjatë vitit 2010, thuhet se një nga korridoret më të rëndësishme të qarkullimit të remitancave është ai që rrjedh nga Greqia drejt Shqipërisë. Frika dhe falimentimi i bankave greke bëri që në Shqipëri të vijnë plot 514 milionë euro si remitanca.

Sipas shifrave të Eurostat, gjatë dyvjeçarit të mëparshëm, 2008-2009, dërgesat e shqiptarëve nga Greqia drejt Shqipërisë ishin më të ulëta, respektivisht 390 milionë euro dhe 314 milionë euro.

Ka ndodhur krejt e kundërta në vitin 2010, kur frika për krizën greke kapi kulmin. Për vitin 2011, Eurostat nuk jep të dhëna mbi ecurinë e remitancave, por e vetmja gjë e sigurt është që gjatë vitit të kaluar shumë emigrantë zgjodhën të ktheheshin në Shqipëri, duke marrë me vete edhe ato kursime që mund të kishin krijuar përgjatë viteve që punuan në shtetin fqinj.

Kjo do të thotë se dërgesat e emigrantëve, një ndër faktorët kryesorë të zbutjes së varfërisë në Shqipëri, do të jenë edhe më të ulëta ndërsa numri i të papunësuarve rritet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)