Kriza ekonomike greke tkurr import-eksportet e Shqipërisë
Tiranë, 1 nëntor - Pas rënies së vazhdueshme të importeve gjatë këtij viti, edhe eksportet e Shqipërisë drejt Greqisë shënuan të njëjtin ritëm dhe ndikimin kryesor e dha ulja e kërkesës së tregut grek për çimenton shqiptare.
Sipas të dhënave të INSTAT, vlera e eksporteve ra 1.5% në 9 muajt janar-shtator, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2011-tës.
Krahas rënies së vlerës së importit me rreth 11%, tregtia me Greqinë, partneri i dytë për vendin tonë rezulton e tkurrur me 9%. Rënia e volumit tregtar llogaritet në vlerën 4.6 miliardë lekë.
Deri vjet, eksporti i çimentos ishte faktori kryesor që ruajti prirjen pozitive të vlerës së mallrave të eksportuara në Greqi, ndërsa thuajse të gjitha produktet e tjera shënuan rënie.
Por, krahasuar me 2011-tën, vërehet se eksporti i çimentos ka rënë 15%, ç\'ka lidhet me krizën ekonomike në vendin fqinj, ku për pasojë, janë ulur ndjeshëm ritmet e ndërtimeve.
Por pavarësisht këtij fakti, çimentoja dhe hekuri shqiptar vazhdojnë të mbeten produktet më të eksportuara në Greqi, pasi zënë gati 37% të eksporteve.
Duket se luhatjet e tregtisë në vendin tonë vazhdojnë të varen shumë nga zhvillimet e jashtme, ç\'ka shpjegohet edhe në këtë rast me dobësimin e aftësisë së tregut grek për të sjellë mallra në Shqipëri, importi i të cilave llogaritet me rënien prej 11% në 9 muajt e parë të këtij viti.