Kriza e euros lë gjurmë tek firmat eksportuese gjermane
Berlin, 10 gusht - Evropa mbetet megjithë krizën e borxheve tregu kryesor për mallrat gjermane. Kështu që kriza e euros nuk është duke kaluar pa lënë gjurmë tek firmat eksportuese gjermane, të mësuara me suksesin.
Mallrat gjermane vazhdojnë të shiten mirë megjithë krizën e borxheve. Eksporti përfiton nga euro e dobët dhe nga përqindjet e ulëta të interesit. Vështrimet plot smirë nuk mund të mos hidhen nga vendet e mbytura në borxhe si Spanja apo Italia. Sepse biznesi i eksporteve ka qenë në këto vende shumë më i thjeshtë para se të futej euro.
Kur eksportet bien, atëherë monedha e vendit zhveftësohet dhe produktet bëhen më të lira.
Aty këtu qarkullojnë edhe teoritë konspirative sipas të cilave Gjermania është përfituesi kryesor i krizës dhe si i tillë nuk ka asnjë interes që ajo të përfundojë sa më shpejt.
Ilja Nothnagel nga Dhoma gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHK) thotë se akuza të tilla janë të pabaza: \"Në fakt Gjermania është tregu më i rëndësishëm i eksportit për 18 vende të Evropës. Kjo do të thotë se një koniuktur e mirë në Gjermani ndihmon edhe partnerët e tjerë në Evropë, që të kthehen sërish në kurs rritjeje ekonomike. Dhe kjo po shihet. Eksportet në Itali, Portugali dhe Spanjë janë duke u rritur.\"
Edhe në prodhimin e makinerive shihet pasiguri për zhvillimin e koniukturës. Por edhe sektori kyç ka një zonë tampon për sigurinë. Shumë firma përfitojnë ende nga kontratat. Olaf Wortmann i Shoqatës gjermane të prodhuesve të makinerive (VDMA), thotë se sektori e ndien krizën e euros. Sepse dy nga blerësit kryesorë të makinerive janë Spanja dhe Italia: \"Tek eksportet e makinerive gjermane në Itali ne kemi pasur një minus prej dy përqind. Kjo shifër nuk është e lartë\".
\"Ne jemi përgatitur për rënie më të madhe në gjysmën e dytë të vitit. Nga ana tjetër janë rritur eksportet e makinerive për në Spanjë me dy përqind. Situata është shumë e vrazhdë. Edhe këtu ne mendojmë se në gjysmën e dytë të vitit do të kerë ulje të eksporteve,\" thotë Wortmann.
Në gjysmën e parë të vitit tek prodhuesit e makinerive pati një numër kontratash që ishte shtatë përqind më e ulët se një vit më parë. Por kjo u pa si \"normalizim\". Sepse viti 2011 ishte vit rekord. Në këtë vit pati një ripërtëritje të vërtetë. Sepse pas falimentimit të bankës amerikane Lehman Brothers në vitin 2009, porositë u ulën shumë për prodhuesit e makinerive gjermane.
Evropa është ende tregu më i rëndësishëm për produktet gjermane. Gati 60 përqind e eksporteve shkojnë në vendet e këtij kontinenti. Kështu që edhe ekonomia e eksportit ndien pasojat e krizës së borxheve, thotë Anton Börner, president i Shoqatës së Tregtisë së Jashtme (BGA).
Eksportet gjemane janë rritur me katër përqind që nga fillimi i vitit. Por kjo ka të bëjë me dinamikën e vendeve në ekspansion ekonomik dhe atyre në zhvillim. Börner paralajmëron se kriza duhet menaxhuar shpejt, përndryshe Evropa do të bjerë në turbulenca të mëdha, prej të cilave do të prekej shumë ekonomia botërore.
Eksportuesit gjermane shikojnë me shpresa të mëdha nga Azia. Por këtë vit lokomotiva e zhvillimit, Kina, ka humbur shpejtësinë. Kaq e ngadaltë sa në tremujorin e dytë, ekonomia e dytë më e madhe e botës, nuk ka qenë asnjëherë që prej fillimit të krizës financiare globale.
Në pesë muajt e parë, thotë Olaf Wortmann, eksportet e makinerive në Republikën Popullore të Kinës kanë rënë me 11 përqind: \"Megjithatë kjo mund të relativizohet. Sepse ne kemi pasur nëntë vjetë me radhe nivel të lartë rritjeje ekonomike, dhe kemi pasur mundësi t`i trefishojmë bizneset në përgjithësi. Prandaj, 11 përqind minus nuk është një rënie e madhe.\"
Eksportuesit më të mëdhenj në Gjermani vazhdojnë të jenë prodhuesit e automjeteve dhe makinerive. Por edhe industria kimike si dhe sektori i çelikut. Kështu që 50 përqind e prodhimit të çelikut në vend shkon për jashtë.