Krijimi i një tregu të përbashkët Kosovë - Shqipëri i domosdoshëm
Në Expoforumin e organizuar nga AlbKonfindustria, Ministria e Diasporës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e përkrahur nga projekti DEED, u trajtuan shumë çështje, me të cilat bizneset nga diaspora ballafaqohen në implementimin e projekteve të ndryshme.
Sipas Gjergj Buxhukut, përfaqësues I AlbKonfindustrisë, Kosova dhe Shqipëria duhet të orientohen nga mënyrat e ndryshme për ti shikuar mundësitë zhvillimore.
Sipas tij, një parakusht i rëndësishëm është fuqizimi I tregjeve aktuale dhe inicimi i projekteve aktive nga vetë shtetet që ta nisin kërkimin e kompanive private për të investuar.
Në këtë kontekst, ministri i Diasporës, z. Valon Murati, njëherësh bashkënikoqir i këtij takimi, theksoi se potenciali i shqiptarëve në diasporë është shumëdimensional, duke u nisur nga ai intelektual, profesional, kulturor deri tek ai financiar.
Të dy qeveritë kemi filluar ta kuptojmë rëndësinë e këtij potenciali. MeD-ja ka vazhduar krijimin dhe konsolidimin e rrjetit të bizneseve, që do të shndërrohet në një partner të zhvillimit ekonomik, ndërsa heqja e barrierave mes dy vendeve dhe krijimi i një tregu të përbashkët do ta lehtësojë edhe më shumë të bërit biznes, tha ministri Murati.
Nga ana tjetër, ministri i Energjisë dhe i Industrisë në Qeverinë e Shqipërisë, Damian Gjiknuri, përpos që ritheksoi rëndësinë e një tregu të përbashkët, tha se kapacitetet e Kosovës dhe të Shqipërisë në fushën e energjetikës kanë mbetur të paeksploatuara.
Ne kemi nevojë për investime të huaja, për hapje të tregjeve tona, sepse si do të jemi atraktivë pa treg të qëndrueshëm. Roli i shtetit është të fasilitojë investim dhe të promovojë projekte. Ne kemi mungesë të projekteve. Kapitale ka, por projekte nuk ka, tha Gjiknuri.
Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë e Kosovës, znj. Hykmete Bajrami, tregoi për përpjekjet e MTI-së në rregullimin e infrastrukturës ligjore dhe asaj financiare për investimet e huaja, duke theksuar rëndësinë e fillimit të punës së Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku do të adresohen drejtpërdrejt kërkesat e investitorëve të mundshëm në nivel ministror.
"Në takimet e përbashkëta mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë është arritur Marrëveshja për Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë si dhe është nënshkruar marrëveshja e protokolit të bashkëpunimit. Në takimet e fundit që kemi pasur ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë me Ministrine e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në Tiranë, kemi diskutuar çështjet e fokusuara kryesisht në Marrëveshjen Kuadër, të nënshkruar në mars të këtij viti, siç janë: unifikimi i praktikave doganore (lehtësimi i procedurave për pajisjen e bizneseve me leje eksport/importi), njohja e certifikatës së origjinës së produkteve, vulave të cilësisë, çmimeve të referencës në mbrojtje të konkurrencës në treg, si dhe njehsimi në fushën e akreditimit, standardizimit dhe metrologjisë."
"Këto marrëveshje kanë për qëllim zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjeve që i sfidojnë bizneset gjatë tregtimit të produkteve të tyre në tregjet përkatëse", theksoi Bajrami.
Ministrja Bajrami shtoi se ambienti i biznesit po përmirësohet në vazhdimësi dhe së shpejti pritet edhe aprovimi i pakos së re fiskale e cila do ta lehtësojë edhe më tej zhvillimin e biznesit në Kosovë, duke mundësuar që lënda e parë që nuk prodhohet në Kosovë dhe makineritë për prodhim të lirohen nga taksa doganore dhe nga TVSH-ja.
Riaktivizimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik sipas saj do të lehtësojë koordinimin ndërinstitucional dhe publiko-privat dhe do të jetë një mekanizëm për adresimin e barrierave dhe sfidave të ndryshme me të cilat ballafaqohen bizneset.
Lazim Destani, president i kompanisë ECOLOG dhe kryetar nderi i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, kërkoi që praktika e investimeve me mjete vetjake, siç është duke u aplikuar tash për tash në Kosovë, rrallë ku gjendet në vendet e zhvilluara, aq më pak në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndërpritet, ndërsa Qeveria të jetë hisenike në projektet zhvillimore.
Në punimet e forumit u paraqitën edhe projekte nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, pikërisht në sektorin e energjetikës.