Krasniqi: Vetëvendosje nuk është e ngarkuar të zbatoj reciprocitetin
Prishtinë, 13 janar - Me rastin e paralajmërimit të protestës së organizuar nga Vetëvendosja, në vendkalimet kufitare me Serbinë, më 14 janar, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi është deklaruar në mbështetje të së drejtës për protesta të qytetarëve dhe organizimeve të tyre, por sipas tij Kuvendi nuk e ka ngarkuar Vetëvendosjen dhe as ndonjë subjekt tjetër partiak për të zbatuar vendimin për reciprocitet.
U bëj thirrje drejtuesve të Vetëvendosjes që mos t i kalojnë të drejtat kushtetuese e ligjore që janë të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, theksoi Krasniqi.
Partitë, si subjekte në institucionin më të lartë përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës të jetës publike, shoqërore e institucionale, sipas tij janë të obliguara të kontribuojnë dhe ndihmojnë në sundimin e rendit e të ligjit, në sigurinë dhe stabilitetin politik të shtetit tonë të ri.
Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me reciprocitetin kërkohet të zbatohet nga Qeveria e Kosovës dhe jo nga ndonjë subjekt partiak.
Kuvendi nuk e ka ngarkuar Vetëvendosjen dhe as ndonjë subjekt tjetër partiak për të zbatuar vendimin për reciprocitet, ka thënë Krasniqi.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën qytetare për të protestuar dinjitetshëm, për të ndihmuar në funksionimin e jetës institucionale, për ruajtjen e sigurisë e stabilitetit të shtetit tonë të ri.