KPK ka arritur që të përfundojë 96 përqind të rasteve të korrupsionit
Prishtinë, 26 dhjetor - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, me rastin e konferencës tradicionale të fundvitit me media ka deklaruar se Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë vitit 2018 ka arritur që të përfundojë 96 përqind të rasteve të korrupsionit.
“Këshilli ka arritur të realizojë procese shumë të rëndësishme për avancimin e mëtutjeshëm të sistemit prokurorial të Republikës se Kosovës. Gjatë nëntë mujorit të këtij viti, janë 200 lëndë të korrupsionit, ku 96 përqind prej tyre janë zgjidhur”, tha ai.
Këshilli sipas tij ka mbajtur këtë vit 13 takime, përfshirë një takim të përbashkët me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, si dhe ka nxjerr afro 132 vendime nga fushëveprimtaria e tij, të cilat kanë të bëjnë me themelimin e komisioneve te ndryshme ad hoc, rekrutimin, transferimin dhe avancimin e prokurorëve, disiplinimin dhe vlerësimin e performancës së prokurorëve, administrimin e prokurorive, menaxhimin e buxhetit, miratimin e dokumenteve strategjike dhe planeve të punës, procesin e integrimeve evropiane dhe vendime që i përkasin bashkëpunimit institucional.
Këshilli, me mbështetjen e Ambasadës Holandeze dhe bashkëpunimin e shoqërisë civile, ka hartuar dhe miratuar së fundmi Kodin e etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë, përmes të cilit synohet një sistem prokurorial me integritet dhe dinjitet.
E tëra kjo kornizë nënligjore është hartuar nga kapacitetet e sistemit prokurorial dhe në mbështetje të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Duke folur për rekrutimin e prokurorëve, Isufaj tha se ky proces është monitoruar nga shoqëria civile dhe se rritja e numrit të tyre është një hap pozitiv për fushën e drejtësisë.
"Këshilli do të plotësojë numrin e prokurorëve të nevojshëm për sistemin prokurorial, me ç’rast do të jetë numri më i lartë i prokurorëve që kemi pasur ndonjëherë, 201 prokurorë, respektivisht, më shumë se 11 prokurorë për 100 mijë banorë, mesatare kjo e njëjtë me vendet evropiane", tha ai.
I pyetur se sa persona të profilit të lartë të akuzuar për korrupsion janë dënuar me burgim, Isufaj tha se nuk është dëshirë e tij të dërgojë askënd në burg, derisa refuzoi të flasë më tutje për këtë çështje.
Përmes Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Këshilli gjatë vitit 2018 sipas tij , ka finalizuar pesë procese të vlerësimit të performancës, me ç’rast janë vlerësuar gjithsej 67 prokurorë, prej tyre 33 prokurorë me mandat të përhershëm dhe tridhjetë e katër prokurorë me mandat fillestar. Ky ishte edhe numri i prokuroreve qe Këshilli kishte planifikuar te vlerësojë gjate vitit 2018.
Sa i përket trajtimit të rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik, gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti Isufaj ka thënë së Këshilli ka monitoruar zbatimin e Planit strategjik specifik dhe rezultatet në këtë periudhë janë si në vijim: lëndë të pranuara të korrupsionit janë 294 raste përderisa ka trajtuar 281 raste, respektivisht, ka zgjidhur 96% të rasteve të pranuara.
Sa i përket krimeve ekonomike janë pranuar 301 raste dhe janë trajtuar 317, respektivisht janë zgjidhur 5% më shumë lëndë sesa janë pranuar.
Të gjitha proceset e rekrutimit, transferimit dhe avancimit, vlerësimit të performancës, disiplinimit të prokurorëve, hartimit të akteve nënligjore, buxhetit, administrimit të prokurorive janë realizuar përmes komisioneve të përhershme dhe ad hoc të Këshillit Prorurorial të Kosovës.