KPK dhe OEK kërkojnë heqjen e barrierave tregtare Kosovë – Shqipëri
Prishtinë, 3 qershor - Klubi i Prodhuesve (KPK) së bashku me Odën Ekonomike (OEK) në kuadër të Forumi Ekonomik Mbarë-Shqiptar, sot mbajtën një prononcim për media, në të cilën u diskutua për problemet dhe barrierat tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Tematikë kjo që është përcjell në vazhdimësi këto vitet e fundit, por qëështë intensifikuar nga takimi i fundit i Forumit Mbarë Kombëtarë Shqiptarë.
Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve dhe Koordinatorë i Forumit Mbarë Kombëtarë Shqiptarë, tha që prodhuesit vendor për shumë arsye tregun e Shqipërisë e konsiderojnë si vazhdimësi të tregut vendor, dhe e ka vëmendjen kryesore.
Mirëpo këta përgjatë viteve janë duke hasur në pengesa të shumta gjatë tregtimit të produkteve të tyre. Ku vetëm në vitin 2019 në shkëmbimet tregtare mes këtyre dy vendeve, eksporti i produkteve të Shqipërisë në Kosovë kap vlerën 64milion euro (rritje prej 25 milionë euro krahasuar me vitin paraprak), ndërsa eksporti i Kosovës në Shqipëri është 18 milion euro (rritje prej 1 milionë euro krahasuar me vitin paraprak).
“Sipas një raporti nga BE, Shqipëria del e dyta, pas Serbisë për barrierat tregtare, ku e treta është Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia. E ku duhet cekur që një prej marrëveshjeve të shumta që janë nënshkruar në mes të qeverisë Kosovës dhe asaj të Shqipërisëështë marrëveshja për lehtësimin e shkëmbimeve tregtare” – deklaroi Panxha.
Ai edhe një herë përmendi barrierat tarifore dhe jo-tarifore që prodhuesit kosovar po hasin gjatë eksportit në tregun e Shqipërisë, si rasti i akcizës së birrës, pastaj procedurat e zhdoganimit në Shqipëri, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, pagesa në rrugën e kombit, mos-marrja për bazë e çmimit të faturës nga Dogana Shqiptare e shumë pengesa tjera që dëmtojnë konkurrueshmerinë e produkteve të Kosovës në Shqipëri.
Ndërsa, Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike tha që këto barriera janë duke i përcjellë marrëdhëniet tregtare në mes të këtyre vendeve tash e një dekadë, si barrierat tarifore dhe jo tarifore, por përveç tyre është edhe cenimi i investimeve.
“Tregu i Shqipërisë është fokus kryesor i kompanive tona, si për tregti-eksport ashtu edhe për investime. Prandaj, tregtia me Shqipërinë duhet të sqarohet në bazë të marrëveshjeve të tregtisë së lirë, sepse barrierat e tilla padyshim nuk kanë as shpjegim teorik, as ligjor e as logjik në terma të ekonomisë.”- shpjegoi ai.
Ata në fund thanë që do të bëjnë ç’është e mundur që prodhuesit e Kosovës të depërtojnë në tregun e Shqipërisë, qoftë edhe nëse duhet bërë presion institucioneve të Shqipërisë me bllokimin e pikave doganore me maune në pikën e sezonit të verës.