Kostoja e punës në BE, 22.5 euro për orë
Bruksel, 16 mars - Zyra statistikore e Bashkimit Europian njoftoi se kostoja mesatare e punës u rrit me 1.5 për qind në 27 vendet anëtare dhe arriti në 22.5 euro në vitin 2010. Në zonën Euro kostoja e punës u rrit me 1.6 për qind në 26.9 euro për orë.
Në vendet e pasura dhe me produktivitet të lartë, një orë punë i kushton punëdhënësve mesatarisht 38.2 euro, si në rasin e Belgjikës apo 37.6 euro në Danimarkë. Në Francë, kostoja e punës është 33.1 euro për orë ndërsa në Itali, vetëm 26 euro për orë.
Në vendet e reja anëtare, puna kushton shumë më lirë. Bullgarët paguhen mesatarisht 3.1 euro për orë ndërsa rumunët, 4.2 euro.
Në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta për koston e punës për orë për shkak të shkallës së lartë të informalitetit në sektorin privat. Por ajo që dihet është se paga mesatare mujore në sektorin publik është 343 euro në muaj ose rreth 1.95 euro për orë pune. 15 Mars 2012