Kosova vendos masa mbrojtëse ndaj disa produkteve serbe
Prishtinë, 8 tetor - Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se ka marrë vendim për masa mbrojtëse 'anti-damping' ndaj dy llojeve të produkteve të prodhuara në shtetin e Serbisë.
Damping nënkupton importin e mallrave në Kosovë me një çmim më të ulët të eksportit, sesa çmimi i krahasueshëm për produktin e ngjashëm në tregun e vendit eksportues. Anti-damping është masë mbrojtëse për importin e produkteve nën hetime, pas ankesave të kompanive prodhuese brenda shtetit.
Me vendimin e qeverisë, bëhet fjalë për masën mbrojtëse nga 0.03 centë për kilogram në importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve dhe për 0.03 centë për blloqet standarde me origjinë nga Serbia. Kompanitë eksportuese të koncentratit janë “Jabuka”, “Gebi”, “Sto Posto” dhe “Beçejka”, ndërsa kompania prodhuese e blloqeve është “Mladost”.
Këto vendime janë marrë pas hetimeve të bëra në treg, të cilat kanë vërtetuar se këto mallra në tregun e Kosovës shiten me çmim më të ulët sesa në tregun e Serbisë.
“Të dyja vendimet janë marrë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Masat Anti-damping, si dhe detyrimet tona ndërkombëtare”, tha Hajdari.