Kosova urë lidhëse për depërtimin e produkteve turke në Evropë
Prishtinë, 13 gusht - Kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, bashkë me një grup afaristësh nga vendi, pritën ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Metin Hysrev Ynler me ç'rast biseduan per gjetjen e mënyrave për investime të përbashkëta mes afaristëve kosovarë dhe atyre turq.
Interesimi i afaristëve kosovarë për hapjen e fabrikave dhe i afaristëve turq për të depërtuar në tregjet evropiane, shihen si mundësi e mirë për investime të përbashkëta në Kosovë. Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu tha se ky lloj partneriteti ishte temë kryesore e takimit të sotëm.
U bisedua që vërtet Kosova të jetë një urë lidhëse për depërtimin e produkteve turke në Evropë dhe më tutje... Nga Turqia mund të mësojmë shumë dhe në këtë drejtim sot është më mirë me e zënë peshkun se sa të na e sjellin peshkun të gatshëm, tha ai.
Ndërkaq, ambasadori i Turqisë Ynler premtoi angazhim në sjelljen e investitorëve të jashtëm në Kosovë. Një ndër problemet më të mëdha të Kosovës është papunësia, çelësi për këtë është investimi i jashtëm, premtova angazhimet tona për të sjellë investitorë të jashtëm këtu, ne besojmë se Kosova për një periudhë të shkurtër do të përparojë shumë.
Si hap i parë në këtë drejtim, u theksua nevoja e përmirësimit të ambientit të biznesit në Kosovë, në mënyrë që vendi të jetë më atraktiv për investitorët.