Kosova për herë të parë merr pjesë në konferencën e OECD
Paris, 24 nëntor - Në takimin e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) që po mbahet në kuadër të aktiviteteve të javës së CEFTA-s në Paris, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila foli për rëndësinë e ngritjes së potencialit njerëzor në zhvillimin ekonomik të vendit.
OECD është forum përmes së cilit qeveritë e 34 vendeve anëtare punojnë dhe ndajnë në mes veti përvojat për tejkalimin e problemeve ekonomike. Tema e takimit të këtij viti ishte Ndërtimi i Visionit 2020 për Europën Juglindore.
Në këtë konferencë ministrja Kusari Lila tha: Ne jemi duke punuar në një strategji për Investimet e Huaja Direkte që do të identifikojë sektorët atraktiv për fuqinë punëtore të re dhe me arsim superior. Ne po ashtu jemi duke punuar në identifikimin e faktorëve që do të promovojnë investimet në sektorët inovativë. Besojmë se jo vetëm që do të rrisim produktivitetin përmes inovacioneve, por edhe do të promovojmë një kulturë moderne të ndërmarrësisë.
Në të njëjtën ndërtesë, në kuadër të javës së CEFTAs, Oda Ekonomike e Kosovës udhëhoqi takimin rajonal të odave ekonomike të vendeve anëtare të CEFTAs.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha: Ne besojmë se kemi nevojë të rrisim komunikimin në mes nesh, duke krijuar një model bashkëpunimi që na mundëson ti bashkojmë njerëzit dhe ti promovojmë vlerat tona të përbashkëta duke eliminuar barrierat politike.
Java e CEFTAs e cila filloi më 22 nëntor shënon fundin e kryesimit të Kosovës. Vitin e ardhshëm marrëveshja e tregtisë së lirë (CEFTA) do të kryesohet nga Shqipëria.