Kosova partner i rëndësishëm ekonomik për Maqedoninë
Shkup, 1 shtator - Odat ekonomike të Maqedonisë dhe Kosovës kërkuan nga autoritetet e dy shteteve përshpejtimin e aktiviteteve për ndërtimin e autostradës Shkup-Prishtinë, hapjen e vendkalimeve të reja kufitare, kontroll të përbashkët të hyrje-daljeve të mallrave dhe njerëzve në dy vendet, qasje e përbashkët në fondet e Bashkimit Evropian dhe krijimin e një zone mini-shengen mes Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës.
Kryetarët e odave ekonomike Branko Azeski dhe Safet Gërxhaliu kërkuan edhe rivendosjen e komitetit të përbashkët mes Maqedonisë dhe Kosovës për detektimin e problemeve ekonomike mes tyre.
Ka paralajmërime nga ministri i Ekonomisë se ky këshill do të formohet në pjesën e dytë të shtatorit, ndërsa tema kryesore të tij do të jenë ndërtimi i autostradës Shkup-Prishtinë, ndërtimi dhe modernizimi i kalimit kufitar Jazhincë dhe hapjen e kalimeve të reja të cilat do ta përmirësojnë shkëmbimin tregtar me Kosovën, ka theksuar Branko Azeski, kryetar i OEM-së.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Gërxhaliu u bëri thirrje kompanive nga Maqedonia që Kosovën mos ta shohin vetëm si vend për tregti afatshkurtër por si një mundësi të mirë për investimet e tyre në afat të gjatë.
Ajo që duhet të thuhet në këtë takim pas këtij realiteti të ri të krijuar me masat e reciprocitetit me Serbinë është një apel për kompanitë maqedonase që të mos mendojnë të jenë prezente në Kosovë vetëm në aspektin afatshkurtër dhe të përfitojnë nga një realitet i ri i krijuar por ato duhet të kenë një vizion dhe ta eliminojnë fitimin si prioritet dhe të mendojnë që në Kosovë të jenë të pranishëm edhe në aspektin afatgjatë, tha Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-së.
Shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës vetëm për 6 muaj e parë të këtij viti ka shënuar rritje prej 30.6 % në krahasim me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas statistikave për 6 muaj Kosova nga Maqedonia ka importuar 243 milion dollarë, ndërsa ka eksportuar vetëm 18 milion dollarë.