Kosova në korrik importon 229 milionë, eksporton 27 milionë euro
Prishtinë, 5 shtator - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin korrik 2013.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për muajin korrik 2013, prej 202,5 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 208,5 milionë euro me periudhën e njëjtë të vitit 2012.
Eksporti mbulon importin vetëm 11.8%.
Eksporti në muajin korrik 2013 kishte vlerën 27,1 milionë euro, ndërsa importi 229,6 milionë euro. Kjo tregon një rritje prej (5.2%) për eksport, si dhe një rënie prej (-2.0%) për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 45.2% të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 22.5% produktet minerale; 7.5% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.1% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.1% produktet bimore; 4.7% tekstili dhe artikujt e tij, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 20.6% të importit e përbëjnë produktet minerale; 14.0% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani;
11.3% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.3% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 6.6% produktet e industrisë kimike; 6.4% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.3% mjetet e transportit; 4.7% produktet bimore, e kështu me radhë.
Sa i përket këmbimeve me vendet e tjera, partnerë kryesorë tregtarë të Kosovës janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 37.9% për eksport dhe 43.1% për import. Ndërsa, vendet e CEFTA-së marrin pjesë me 36.6% për eksport dhe 30.8% për import, në raport me totalin e muajit.
Përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Itali (27.5%), Shqipëri (15.0%), Maqedoni (10.7%), Serbi (4.7%), Mali i Zi (4.4%), Turqi (3.0%), Indi (3.0%) etj.
Ndërsa, sipas të dhënave, përqindja më e madhe e importit është nga: Gjermania (11.6%), Serbia (11.0%), Italia (10.3%), Turqia (8.5), Maqedonia (8.3), Kina (8.0%) etj.
Eksporti i tërësishëm për periudhën janar-korrik 2013, ishte 175 911 000 euro, një rritje prej 9.13%, krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2012. Ndërsa, importi i tërësishëm për periudhën janar-korrik 2013 ishte 1 362 934 000, një rritje prej 0.2%, krahasuar me shtatëmujorin e vitit të kaluar.
Rrjedhimisht, mbulueshmëria e importit me eksport, për këtë shtatëmujor, arriti në 12.9%, ndërsa për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishte 11.8%.