Kosova merr mbështetje në marrëdhëniet tregtare me BE-në
Prishtinë, 28 shkurt - Tregtia, industria, politikat për NVM-të, doganat dhe tatimi ishin temat kryesore që u diskutuan në takimin e Dialogut për Procesin e Stabilizim Asocimit (PSA) të mbajtur sot.
Në takim u analizuan zhvillimet në këto fusha të cilat janë identifikuar në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian (KE) për vitin 2011.
Zbatimi i konkluzioneve dhe veprimet pasuese pas këtij takimi do të jenë me rëndësi kyçe në përcaktimin e hapave të mëtejmë për Kosovën në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të BE-së, ku marrëdhëniet tregtare BE-Kosovë janë ndër prioritetet kyçe.
Ne fjalën e tij të hapjes, EUSR/Shefi i Zyrës së BE-së Samuel bogar riafirmojë gatishmërinë e BE-së për të mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj për përmirësimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në.
EUSR/Shefi i Zyrës së BE-së Samuel bogar tha: \"BE-ja është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare duke përgatitur dhe trajnuar ata për të përmirësuar kapacitetin e tyre administrativ për zhvillimin e politikave tregtare, të cilat sipas të gjitha mundësive çojnë drejt lidhjes së marrëveshjeve tregtare. Sigurisht që kjo është një detyrë e vështirë, përderisa BE-ja e ka çkyçur derën e saj, i takon Kosovës që ta hap atë dhe të hyjë brenda.\"
Zëvendës Kryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila tha: \"Kosova ka bërë përparim të dukshëm drejt fillimit të negociatave për Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë, ndërsa marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe BE-së janë përmirësuar.\"
\"Konkluzionet nga Këshilli i Ministrave dhe kthimi i preferencave tregtare në mes të BE-së dhe Kosovës, të dyja këto të miratuara në fund të vitit të kaluar, paraqesin qëndrimin e qartë të BE-së se është arritur përparim në përmirësimin e marrëdhënieve tregtare në mes të Kosovës dhe BE-së. Dëshirojmë që këto marrëdhënie të përmirësohen dhe të kalojnë në një fazë të re të bashkëpunimit e cila parashikon Marrëveshjen për Tregti të Lirë me BE-në dhe thellimin e agjendës së integrimit.
Bashkimi Evropian dhe autoritetet kosovare po ashtu kanë diskutuar progresin e arritur në fushën e industrisë, politikave për NVM-të, doganave dhe tatimeve.
Takimet e Dialogut për PSA, konkluzionet e të cilit përfshihen në Raportin e ardhshëm të Progresit, organizohen bashkë me Ministrinë e integrimeve evropiane.
Dialogu për PSA-në është paraqitur nga Komisioni Evropian në vjeshtën e vitit 2009 si një ngritje e nivelit nga Mekanizmi i mëhershëm Përcjellës i Stabilizimit dhe Asocimit (STM).
Kjo është korniza brenda së cilës Komisioni Evropian dhe administrata e Kosovës diskutojnë rregullisht çështje teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane.
Dialogu për PSA-në monitoron dhe shoqëron arritjet e reformave në Kosovë (në mënyrë të veçantë ato që lidhen me prioritetet e përcaktuara në Partneritetin Evropian) dhe identifikon se si BE mund të ndihmojë në ketë proces.
Në takimet sektoriale mbulohen shtatë fusha dhe ato e respektojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë formatin e dialogut që BE e zhvillon me vendet e tjera kandidate dhe kandidate potenciale. Këta shtatë sektorë janë:
- Drejtësia, liria dhe siguria
- Inovacioni, shoqëria informative, politikat sociale, arsimi dhe kultura
- Tregtia, industria, doganat dhe tatimi
- Tregu i brendshëm, konkurrenca, mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit
- Bujqësia, peshkataria, pylltaria, siguria e ushqimit
- Transporti, mjedisi, energjia, zhvillimi rajonal
- Çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat
Takimet sektoriale dhe plenare të Dialogut për PSA bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe qeveria. Në secilin takim arrihet pajtimi për veprimet pasuese të cilat duhet të ndërmerren nga autoritetet kosovare.