Kosova merr kryesimin e CEFTA-s
Prishtinë, 6 janar - Nga fillimi i këtij viti, presidenca e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë në Evropën Qendrore, që njihet si CEFTA, ka kaluar nga Serbia tek Kosova.
Kjo është bërë pa ndonjë ceremoni zyrtare, por zyrtarët në Prishtinë e kanë vlerësuar kryesimin e CEFTA s nga Kosova si një hap shumë të rëndësishëm për vendin, si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe ai politik.
Kosova është anëtare e kësaj organizate nga korriku i vitit 2007. Atëherë marrëveshja për anëtarësim ishte nënshkruar nga shefi i UNMIK ut dhe Kosova identifikohej me simbole të misionit të OKB së.
Anëtarë të tjerë të Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë me Evropën Qëndrore janë edhe Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja e Hercegovina dhe Moldavia.
CEFTA synon krijimin e një zone të lirë tregtare në rajon, por Kosova në këtë rrafsh po sfidohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat për më shumë se dy vjet nuk po lejojnë qarkullimin e mallrave të Kosovës në territorin e tyre.
Kjo për shkak se vulat e UNMIK ut që më parë ishin vendosur në mallrat e Kosovës, qenë zëvendësuar me simbole shtetërore pas shpalljes së pavarësisë.
Drejtori i Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Flamur Keqa thotë se ende nuk dihet nëse Kosova do të mund të përdorë simbolet e saj shtetërore gjatë kryesimit njëvjeçar të CEFTA-s.