Kosova importon rreth 280 milionë euro mallra nga Serbia
Prishtinë, 6 janar - Kosova ka importuar rreth 280 milionë euro mallra gjatë vitit të kaluar nga Serbia. Pavarësisht fushatave të ndryshme për mosimport të produkteve serbe, mallrat nga shteti fqinj edhe më tutje vazhdojnë ta dominojnë tregun kosovar.
Sipas Zeri-t mbi 400 milionë euro llogaritet të jenë mesatarisht remitenca në vit, kurse më shumë se gjysma e kësaj shume, mbi 250 milionë euro gjatë një viti, shkojnë para kesh në Serbi nga blerja e produkteve serbe.
Ekspertët e ekonomisë thonë se fushata për mosblerje të produkteve serbe duhet të përcillet edhe me veprime të tjera konkrete.
Fushatat e tilla duhet të përcillen me veprime të tjera konkrete. Institucionet para së gjithash duhet ta luftojnë konkurrencën e padrejtë në treg të mallrave serbe dhe njëkohësisht të merren masa adekuate për përkrahje të prodhimit vendor, thekson Berat Rukici, sekretar i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).