Kosova ende importon me se shumti mallra nga Serbia
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar për muajin shkurtin 2013 prej 133,6 milionë Euro krahasuar me deficitin prej 109,9 milionë Euro me periudhën e njëjtë të vitit 2012. Eksporti mbulon importin vetëm 14.5%.
Eksporti në muajin shkurt 2013 kishte vlerën 22,6 milionë Euro, ndërsa importi 156,3 milionë Euro. Kjo tregon për një rritje prej 48.0% për eksport, si dhe një rritje prej 24.8% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012.
Statistikat e tregtisë së jashtme për muajin shkurt të këtij viti, tregojnë se përqindja më e madhe e importit në Kosovë është nga Serbia 11 për qind, Gjermania 10.7 për qind, Italia 8.8 për qind, Greqia 8.4 për qind, Turqia 7.6 për qind dhe Kina 6.8 për qind.
Shuma totale e importit gjatë shkurtit 2013 ishte 156.3 milionë euro, kurse vlera e eksportit 22.6 milionë euro.
Eksporti mbulon importin vetëm 14.5 për qind, edhe pse sipas Entit Statistikor, për dallim prej të njëjtës periudhë vitin e kaluar, eksporti ka rritje prej 48 për qind, ndërsa importi 24. për qind.
Enti Statistikor shkruan në një komunikatë se lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, vendet e BE-së janë partnerët kryesorë tregtarë, të cilët marrin pjesë me 40.8 për qind për eksport dhe 44.6 për qind për import.
Ndërsa, vendet e CEFTA-s marrin pjesë me 34.1 për qind për eksport dhe 27.3 për qind për import, në raport me totalin e muajit.
Përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Itali 27.3 për qind, Shqipëri 11.4 për qind, Mal të Zi 11.0 për qind, Maqedoni 6.6 për qind, Gjermani 5.1 për qind etj.