Kosova e Turqia nënshkruan bashkëpunimin në fushën e standardeve
Prishtinë, 4 shkurt - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht Agjencia Kosovare e Standardizimit (AKS) dhe Instituti i Standardizimit i Turqisë (IST) nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi në fushën e respektimit reciprok të standardeve.
Në konferencë, zv.ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Cuneyd Ustaibo, tha se Agjencia Kosovare e Standardeve deri më tash ka miratuar rreth 6 000 standarde evropiane dhe ndërkombëtare si standarde kosovare.
\"AKS ka ngritur 18 komitete teknike, si dhe Këshillin Profesional të Standardizimit, tha zëvendësministri Ustaibo, duke shtuar se standardet kosovare çdo ditë e më tepër po kërkohen nga prodhuesit dhe tregtuesit kosovarë.
Zëvendësministri Ustaibo, gjithashtu tha: Dhjetëra kompani vendore janë certifikuar. Shumë laboratorë e trupa inspektuese kosovarë janë akredituar, nga të cilët disa janë autorizuar për të rregulluar fusha të ndryshme të tregut. Standardet janë një bazë e mirë dhe e domosdoshme për aktivitetet e përmendura , theksoi Ustaibo.
Ndërsa, presidenti i IST-së, Hulusi Senturk, tha: Pas këtij memorandumi, Kosova do të integrohet më shpejt me standardet evropiane. Gjithashtu shpresoj se gjatë kohës, derisa jemi anëtarë të Asamblesë së Përgjithshme të jemi me fat që të votojmë pro anëtarësimit të Kosovës në Organizmat e Standardeve Europiane, CEN dhe CENELEC, tha Senturk.
Kurse, kryeshefi i AKS-së, Hafiz Gara, tha Plotësimi i standardeve do të mundësojë që produktet e Kosovës të plasohen më lehtë në tregjet e huaja, duke përfshirë edhe Turqinë me të cilin më herët është nënshkruar Marrëveshja për Tregti të Lirë., theksoi Gara, duke shtuar se Agjencia për Standardizim e Kosovës do të arrijë të përmbushë në mënyrë të plotë dhe të pavarur çështjen e certifikimit e të standardizimit.
Kosova me Turqinë, në nëntëmujorin e vitit 2013, kanë pasur shkëmbime tregtare në vlerë prej 6.7 milionë eurosh mallra të eksportuara në Turqi, ndërsa vlera e mallrave të importuara nga Turqia ka qenë 183.6 milionë euro.