Kosova e Shqipëria nënshkrujan Memorandum për zhvillimin e tregjeve financiare
Prishtinë, 21 tetor - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Republikës së Shqipërisë, Ervin Mete kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në funksion të rregullimit, licencimit dhe mbikëqyrjes së tregjeve.
Përmes këtij Memorandumi BQK-ja dhe AMF-ja vendosin një sistem bashkëpunimi reciprok dhe shkëmbim të informacioneve mes palëve, bazuar në rëndësinë e zhvillimit të tregjeve financiare të të dyja vendeve, i cili do të shtrihet në tregjet e sigurimeve / risigurimeve, tregjet e kapitalit, aktivitete të tjera financiare jobankare.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka vlerësuar të rëndësishëm nënshkrimin e këtij Memorandumi.
Ai u ndal tek rëndësia e bashkëpunimit reciprok mes dy rregullatorëve në adresimin e çështjeve me interes të përbashkët, në funksion të mbarëvajtjes dhe zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje.
Ndërsa, drejtori i AMF-së, Ervin Mete falënderoi Guvernatorin Mehmeti për angazhimin e tij në finalizimin e këtij memorandumi, duke theksuar se marrëveshja e re e bashkëpunimit i përgjigjet jo vetëm zhvillimeve të kohës, por edhe çështjeve që kanë dalë në pah ndër vite mes Autoritetit të
Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Me anë të këtij Memorandumi të Mirëkuptimit, parashihet vlefshmëria reciproke e policave të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, detyrimet reciproke mbi praktikat e dëmeve.
Memorandumi thellon linjat e bashkëpunimit mes dy rregullatorëve në funksion të mbikëqyrjes së integruar dhe efektive, në veçanti përmes kolegjeve mbikëqyrëse të grupeve të sigurimit, për shoqëritë vendase të sigurimit dhe risigurimit, të cilat kanë investime apo degë të tyre në vende të tjera.
Gjithashtu, sa i përket tregut të sigurimeve palët angazhohen të adresojnë çështje të veçanta të mbikëqyrjes në të dy vendet, si vlefshmërinë reciproke të policave të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, detyrimet reciproke mbi praktikat e dëmeve apo trajtimin dhe pagesën e dëmeve.
Në lidhje me tregjet e kapitalit, Shqipëria është në një stad më të avancuar për sa i përket kuadrit ligjor, nëpërmjet ligjeve të miratuara së fundmi, si edhe ka krijuar infrastrukturën e tregut, Bursën dhe Regjistrarin.
Autoriteti është i gatshëm të asistojë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në këtë drejtim.
Gjithashtu, dy rregullatorët do të bashkëpunojnë në funksion të përmirësimit të sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit, duke iu përgjigjur evoluimit të vazhdueshëm të tregjeve nën mbikëqyrje, si dhe shkëmbimin e eksperiencave nëpërmjet takimeve të ndërsjella në funksion të rritjes së mëtejshme të standardeve në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.
Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar nga të dyja palët, do të jetë në fuqi për një periudhë kohore të pakufizuar, derisa i njëjti shfuqizon Memorandumin e mëparshëm që ishte në fuqi nga viti 2008.